Fjalimi frikshëm i Putinit që kërcënoi me bombë atomike pas humbjeve në Ukrainë, mobilizoi edhe 300 mijë rezervistë - NACIONALE

Fjalimi frikshëm i Putinit që kërcënoi me bombë atomike pas humbjeve në Ukrainë, mobilizoi edhe 300 mijë rezervistë

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

“Për të mbrojtur Rusinë do të përdorim gjithçka që kemi, e përsëris, gjithçka që kemi, ky s’është blof. Ata që na shantazhojnë me armë nukleare, le ta dinë se mund t’u kthehet bumerang” - tha dje presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Humbjet në njerëz dhe territor, kanë bërë që Putin ta ndezë alarmin.

Në një fjalim të frikshëm, Putin kërcënoi me bomba atomike dhe thirri 300 mijë rezervistë tjerë për të luftuar në Ukrainë.

Pos këtyre, Putin tha se Perëndimi ka qëllim ta shkatërrojë Rusinë duke e shndërruar popullin e Ukrainës në mish për top.

Por, pse është nervozuar kaq shumë Putini?

Rusia në shkurt pushtoi zona të mëdha në jug, lindje dhe veri-perëndim të Ukrainës.

Por, javëve të fundit, Ukraina ka rikthyer shumicën e këtyre hapësirave.

Përkundër suksesit të Ukrainës, Rusia ende ka të okupuar 1/5 e territorit ukrainas, duke mos përfshirë edhe Krimenë.

Në pjesët ende të okupuara, Rusia ka thënë se do të mbajë referendume.

Ndërsa NATO ka thënë se këto referendume s’kanë legjitimitet dhe janë të papranueshme.

Putin gjithashtu tha se perëndimi s’po do paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Ndërsa ‘miku’ i tij — Erdogan ka thënë se Putini është i gatshëm ta ndalë luftën.

Ende pa u bërë një vit luftë, në Ukrainë besohet se janë vrarë rreth 125 mijë njerëz, ndërsa 1.6 milionë janë deportuar.

Lajme të ngjashme