- NACIONALE

Federata Sindikale e RTK-së: Largimi i gazetares Arlinda Sejda, "alarm serioz" për presionet editoriale

NACIONALE

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës ka shprehur keqardhje të thellë për largimin nga institucioni të gazetares Arlinda Sejda, pas dhjetë vitesh angazhim profesional në transmetuesin publik.

Sipas Federatës, deklarimi publik i një gazetareje me përvojë se po largohet pasi nuk mund ta ushtrojë më profesionin në përputhje me standardet, etikën dhe ndërgjegjen e saj, nuk është thjesht vendim personal, por tregues i një gjendjeje shqetësuese në ambientin profesional të RTK-së.

Federata thekson se prej kohësh ka ngritur shqetësime për ndërhyrje në proceset editoriale, presione ndaj gazetarëve e redaktorëve dhe tejkalim të kompetencave profesionale, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit i kanë konfirmuar këto shqetësime.

Federata i ka bërë thirrje Bordit dhe menaxhmentit të RTK-së që të marrin masa konkrete për garantimin e pavarësisë editoriale dhe krijimin e një ambienti pune ku askush të mos detyrohet të zgjedhë mes vendit të punës dhe ndërgjegjes profesionale.

Organizata sindikale paralajmëroi se do të vazhdojë të mbrojë me mjete sindikale e ligjore të drejtat e punëtorëve dhe standardet profesionale të gazetarisë në RTK, duke e cilësuar largimin e gazetarëve me integritet si problem institucional që kërkon përgjegjësi dhe zgjidhje të menjëhershme.

Bajrami: Në tenderë mungon gara reale, institucionet po paguajnë shumëfish më shtrenjtë

NACIONALE

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti për keqmenaxhim në prokurimin publik, duke pretenduar se institucionet paguajnë shumë më tepër se vlera reale e kontratave.

Në emisionin KIKS Kosova, ajo tha se problemi qëndron te mënyra e zhvillimit të tenderëve, ku shpesh mungon konkurrenca reale mes kompanive.

Sipas Bajramit, në shumë raste institucionet përcaktojnë paraprakisht buxhetin dhe kushtet, ndërsa kompanitë duhet të konkurrojnë me ofertën më të ulët. “Ne e dimë se ata e qesin edhe buxhetin”, tha ajo.

Bajrami shtoi se në disa raste ftohen vetëm dy kompani, ku njëra shërben për të favorizuar tjetrën. “Njëra ftohet për t’ia ‘shtruar rrugën kësaj tjetrës’”, deklaroi Bajrami.

Si pasojë, sipas saj, institucionet përfundojnë duke paguar shumë më tepër se çmimi i tregut. “Organizata buxhetore përfundon duke paguar dyfish e trefish e më shumë”, u shpreh ajo.

Danimarka me pako të re të ndihmave ushtarake për Ukrainën – mbi 670 milionë dollarë

NACIONALE

Danimarka njoftoi të martën një pako të re të donacioneve ushtarake për Ukrainën me vlerë t rreth 4,4 miliardë kronave (671,8 milionë dollarë).

“Rreth 1,3 miliard krona janë ndarë për modelin danez, që e bën të mundshme financimin e kostove shtetërore të prokurimit të Ukrainës përmes industrisë së saj të mbrojtjes” – thuhet në një deklaratë të qeverisë daneze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Për më tepër, më shumë fonde janë ndarë për municion të artilerisë me rreze të gjatë” – u tha më tej.

Kjo është pakoja e 30-të e mbështetjes ushtarake të Danimarkës për Ukrainën.

Kur takimet jorelevante maskojnë zezimin e marrëdhënieve me ShBA-të

Col Mehmeti

Kosova, nën drejtimin e kryeministrit në largim, mbetet vendi i vetëm në Ballkan që e gjen veten në front përplasjesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur imperativi gjeopolitik është shkëputja nga varësia energjetike ndaj Rusisë, Kurti gjer më tani nuk ka lëshuar pé nga kryeneçësia e moçme për t’i thënë ‘Jo’ çdo investimi a projekti amerikan. I papërfillur tash e gjashtë vite në Washington, sidomos nga Departamenti i Shtetit, kryeministri në largim e quan me vlerë takimin me Daniel Serwerin që nuk mban asnjë pozitë në administratën amerikane.

30 qershor 2026 –
Me një gjethe fiku kryeministri në largim, Albin Kurti e ka mbuluar kapitullin e ri të ftohjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vigjilje të samitit të NATO-s që mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, dhe ku Kosova nuk është ftuar, qeveria në largim e ka cilësuar si frymëzues një takim tejet jorelevant.

Bëhet fjalë për takimin që Kurti pati me analistin dhe profesorin amerikan, Daniel Serwer.

Në afishimin e bashkëndarë për mediat, kryeministri në largim e cilësoi takimin me analistin amerikan si të përzemërt dhe frymëzues.

Me profesorin biseduam për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillime gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë”, shkroi me këtë rast Kurti.

Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale”.

Serwer nuk ka asnjë post në ekzekutivin amerikan

Sidoqoftë, e pathëna e njoftimit është se takimi në fjalë zor që mund të numërohet si një lëvizje diplomatike, qoftë edhe disacentimetërshe, që do të çonte ujë drejt përmirësimit të marrëdhënieve të plasaritura me Washingtonin zyrtar.

Ndonëse njohës i rryer i realiteteve në Ballkan, Daniel Serwer nuk ka kurrfarë posti në administratën amerikane.

Periudha e tij aktive në diplomaci ka qenë në vitet ’90: fillimisht ai kishte qenë zëvendësshef i misionit dhe i ngarkuar me punë në ambasadën amerikane në Romë; tutje, Serwer e kishte marrë rolin e të dërguarit të posaçëm për Bosnjën (1994-1996); dhe në vitet në vazhdim u bë diplomat i lartë në Departamentin e Shtetit, ku edhe drejtoi Zyrën për Inteligjencë dhe Kërkime Evropiane.

Hëpërhë, Serwer është bashkëpunëtor i Institutit për Politikë të Jashtme pranë Johns Hopkins School of Advanced International Studies.

Njashtu, ai vazhdon punë prej hulumtuesi mbi çështje të sigurisë e politikës ndërkombëtare në Middle East Institute.

Kohëve të fundit, emri i tij është keqpërdorur në përmbajtje të dyshimta që qarkullojnë nëpër grupe e faqe të afërta me Vetëvendosjen.

Aty paraqitej sikur Serweri shprehej me fjalë superlative për Kurtin e mënyrën sesi qeveris ai.

Serwer më 2023: “Kurti ringjalli konceptin jugosllav të vetëmenaxhimit”

Nga pozita e tij prej njohësi të rrethanave gjeopolitike, profesori amerikan kishte komentuar ngjarjet e stuhishme në veri të Kosovës në vitet 2022-23.

Megjithëse i kishte përkrahur veprimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, Serwer nuk do të ngurronte që të fshikullonte edhe objeksione kundrejt Kurtit që po krijonte panevojshëm plasaritje me aleatët perëndimorë, veçmas me ShBA-të.

Në një intervistë dhënë apostofat për gazetën NACIONALE, të zhvilluar me gazetarin Xhezair Dashi, profesori amerikan kishte qenë mjaft kritik kundrejt asaj që solli Kurti me Marrëveshjen e Ohrit.

Sipas tij, ideja e vetëmenaxhimit për komunitetin serb, të cilin Vetëvendosja e shfrytëzonte si veprim të mençur, ishte “hera e parë që ky koncept jugosllav u ringjall”.

Nëse vetë Kurti për pothuajse gjashtë vite ka qenë i heshtur ndaj Gjykatës Speciale, edhe kur kjo e fundit është bërë me gisht nga ekspertë të huaj për shkelje të vazhdueshme, profesori amerikan ka kritikuar ballazi procesin siç është zhvilluar deri më tani.

Cakërrim me brirë kundër ShBA-së dhe gjithçkaje të saj

Çështja e gazit të lëngëzuar natyror (Liquefied Natural Gas) – për të cilin vetë ambasada amerikane para do kohe dërgoi mesazhe urgjence – po e vë vendin përballë një udhëkryqi tjetër gjeopolitik.

Deri më tani, veprimet dhe deklarimet e Qeverisë në detyrë kanë qenë tejet ambuige, me gjasa të mira për të mos e pranuar fare nismën e gazit ‘amerikan’.

Kjo do ta bënte edhe njëherë Kosovën si ‘delen e zezë’ të Ballkanit që shkëputet nga të gjitha nismat amerikane që synojnë pavarësimin energjetik të rajonit nga Rusia.

‘Dobësimi’ i ambasadave: Kosova në ShBA dhe ShBA-të në Kosovë

E shumëpërfolur ndër vite si çështje, marrëdhëniet me aleatin kryesor të Kosovës dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara, kanë pësuar jo pak trandje.

Washingtoni deri më tani ka qenë intrasigjent në mbrojtjen e Kosovës, porse e njejta nuk është reflektuar edhe në qasjen ndaj kryeministrit Kurti.

Në fund të dhjetorit të 2024-s kur ambasadori Jeffrey Hovenier e përfundoi mandatin e tij, ambasada amerikane në Prishtinë nuk e solli një titullar të ri.

Gjatë gjithë kësaj kohe, diplomacia amerikane e la përfaqësinë e saj në Prishtinë në kapacitetin e vetëm një të ngarkuare me punë, siç vazhdon të mbetet Anu Prattipati.

Vetë Richard Grenell, që në administratën e re amerikane mban postin e të Dërguarit të Posaçëm presidencial për Misione të Veçanta, në shkurt të vitit të kaluar theksoi troç se qeveria e Kurtit nuk gëzon besim ndër amerikanë.

Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Të njëjtën e ka bërë BE dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, kishte emfazuar qëndrimin e tij për sa i përket Kurtit.

Hiç më mirë nuk i ka punët as ambasada e Republikës së Kosovës në Washington.

Në bashkëbisedim me aktivistë shqiptaro-amerikanë, gazeta NACIONALE mëson se prania diplomatike e Kosovës në ShBA nuk është as hija siç ishte një dekadë më parë.

Kjo zbehje e interesimit amerikan, sidomos nga Departamenti i Shtetit, nuk është frenuar as nga përfaqësia diplomatike e Kosovës, e cila, ndër të tjerash, përballet edhe me probleme teknike, siç është mungesa e stafit.

Gjashtë vjeq armiqësi

Raportet konfliktuale deri në ftohje e kanë shënuar gjithë historinë mbi gjashtëvjeçare të Kurtit në qeveri.

I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022.

Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.

Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të 2024-s, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.

Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.

Kjo është vizita më e gjatë që një kryeministër ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkura”, kishte thënë me doza mburrje Kurti.

Kjo tablo nuk ndryshoi aspak edhe kur ai, në cilësinë e kryeministrit në detyrë, kreu një vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, qëndrimi i Kurtit u bë sebep Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Hiq ndonjë takimi me kongresmenë e senatorë amerikanë, kryeministri i Kosovës nuk ishte pritur fare nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /Nacionale/

Isufi: Në kërkesën për 75 hektarë tokë publike, si person kontaktues figuron anëtari i kabinetit të kryetarit Alban Hyseni

NACIONALE

Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Burhan Isufi, ka kërkuar sqarime lidhur me propozimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, për 99 vjet, të 75 hektarëve tokë publike.

Sipas Isufit, shqetësimi kryesor lidhet me faktin se në dokumentacionin e kompanisë Nord Kos SH.P.K., e cila ka paraqitur kërkesën, si person kontaktues figuron Eronit Hajdari, anëtar i kabinetit të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai ka pyetur publikisht se në çfarë cilësie një zyrtar i kabinetit të kryetarit është i përfshirë si person kontaktues në dokumentet e një kompanie private, duke kërkuar sqarime nga kryetari Hyseni.

Isufi ka theksuar se dhënia në shfrytëzim e 75 hektarëve tokë publike për 99 vjet është një çështje me interes të madh publik dhe se qytetarët e Gjilanit meritojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta për këtë proces.

Gjykata Supreme e ShBA-ja kundër Trumpit, fëmijëve të imigrantëve pa dokumente u takon shtetësia amerikane

NACIONALE

Duke e cituar amendamentin e 14-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Gjykata Supreme e këtij vendi ua ka mbyllur derën përpjekjeve të presidentit Donald Trump për t’ua mohuar shtetësinë fëmijëve të imigrantëve pa dokumente dhe shumicës së banorëve të huaj të përkohshëm.

Sipas kryegjykatësit John Roberts, i cili shkroi në emër të shumicës së trupit gjykues, gjuha e amendamentit, e miratuar pak kohë pas përfundimit të Luftës Civile në ShBA, është e qartë: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që rrjedhimisht janë subjekt i juridiksionit të tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara.”

Trumpi dhe ekipi ligjor i tij kishin argumentuar se imigrantët pa dokumente nuk janë “subjekt” i juridiksionit të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, kryegjykatësi Roberts dhe shumica e trupit gjykues nuk u pajtuan me këtë pretendim.

Për shkak të vlerësimit të shumicës së gjykatësve se Kushtetuta e ShBA-së është eksplicite në këtë aspekt, ka pak gjëra që Trumpi mund t’i bëjë për ta zhbërë vendimin dhe për t’ua mohuar të drejtën për shtetësi me rastin e lindjes në ShBA fëmijëve të imigrantëve pa dokumente, raporton televizioni BBC.

Një gjë e tillë do të mund të arrihej vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës, detyrë shumë e vështirë që është arritur vetëm 27 herë në historinë prej dy shekujsh e gjysmë të shtetit mik.

Redaktori i RTK-së pas dorëheqjes së Arlinda Sejdës nga RTK: Situata “po bëhet e papërballueshme”

NACIONALE

Redaktori i RTK-së, Arton Mulliqi, ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda, e cila ka pasur përvojë 10-vjeçare në Radio Televizionin e Kosovës.

Në reagimin e tij, Mulliqi e ka përshkruar Sejdën si të lodhur dhe të dërrmuar nga angazhimi i madh në punë, duke thënë se edhe biseda e tyre e fundit kishte qenë pikërisht për presionin dhe ngarkesën që ajo po përjetonte.

“E kam pare me dhjetra here, te lodhur e te dermuar nga angazhimi i madh dhe perkushtimi per punen dhe profesionin”, ka shkruar Mulliqi.

Ai ka thënë se ia kishte parë lodhjen “ne sy” pas orëve të gjata në vendin e punës, ndërsa ka shtuar se e kishte këshilluar që ta vendoste veten dhe shëndetin e saj në prioritet.

“E keshillova qe ta kete prioritet vehten dhe shendetin e saj, dhe ta ruaj integritetin dhe dinjitetin personal e profesional, e te mos nenshtrohet para asnje lloj presioni”, ka shkruar ai.

Mulliqi ka thënë se, pas vendimit të Sejdës për t’u larguar nga puna, i është kthyer në mendje pamja e saj “e lodhur dhe e dermuar fizikisht e psikikisht”.

Mulliqi ka paralajmëruar se rasti i Sejdës nuk është i izoluar. Sipas tij, në RTK ka edhe të tjerë që po përballen me gjendje të ngjashme, por ende vazhdojnë të qëndrojnë në punë.

Ai e ka përshkruar situatën si gjithnjë e më të rëndë.

Dy të vdekur dhe 15 të lënduar nga aksidenti i autobusit në rrugën Tiranë–Durrës

NACIONALE

Një vetëaksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë–Durrës, ku një minibus ka humbur kontrollin, është përplasur me trafikndarësen dhe më pas është rrotulluar. Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Drejtuesi i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se mes të plagosurve, një person ndodhet në gjendje të rëndë.

Ai shtoi se në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë, njëri prej të cilëve ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë.

Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.

Konfirmohet se autobusi nuk është përplasur me asnjë mjet tjetër, por ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen. Deri më tani janë konfirmuar 15 të plagosur, mes tyre edhe një i plagosur rëndë. Ka gjithashtu edhe fëmijë të plagosur, një prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë”, u shpreh Vatoci.

Kasolli: Kurti po kryen mision të dyfishtë, edhe tension, edhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

NACIONALE

Politologu Afrim Kasolli vlerëson se, pavarësisht tensioneve që shihen në publik mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, qasja e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë u shkon më së shumti për shtati ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Sipas Kasollit, interesi i Bashkimit Evropian mbetet zbatimi gradual i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, ndërsa kjo po ndodh pa krijuar tensione të mëdha në opinionin e brendshëm. Ai thotë se, përderisa qytetarëve u thuhet se Kosova nuk i ka pranuar këto marrëveshje për shkak të mungesës së nënshkrimit nga presidenti i Serbisë, në praktikë zbatimi i tyre tashmë ka nisur.

Kasolli i referohet edhe deklaratës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, i cili ka thënë se ka filluar zbatimi i marrëveshjeve.

Sipas politologut, Kurti po realizon një "mision të dyfishtë": nga njëra anë ruan retorikën e rezistencës ndaj presionit ndërkombëtar për konsum të brendshëm politik, ndërsa nga ana tjetër zbaton obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, duke u shndërruar në një partner funksional për Brukselin.

Kasolli përfundon se, për zyrtarët evropianë, më shumë rëndësi ka zbatimi i marrëveshjeve sesa retorika politike, duke shtuar se ajo që ka peshë është përmbushja e agjendës diplomatike që ai e përshkruan me shprehjen: "Finish the job".

AGK: Dorëheqja e Arlinda Sejdës dëshmon presionin politik në RTK

NACIONALE

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës, duke e cilësuar largimin e saj si dëshmi të presionit politik dhe kapjes së transmetuesit publik.

Sipas AGK-së, Sejda, e cila ka punuar për një dekadë në RTK, u largua për shkak të pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me standardet profesionale dhe etike.

AGK vlerëson se largimi i saj dhe i gazetarëve të tjerë është pasojë e politikave menaxhuese që, sipas tyre, ndëshkojnë zërat kritikë dhe e kanë shndërruar RTK-në në një mjet propagandues të pushtetit.

Asociacioni i bëri thirrje Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje të ndalin presionin politik ndaj RTK-së, ndërsa Bordit të transmetuesit publik i kërkoi të mbrojë pavarësinë editoriale dhe gazetarët.