Vinicius: Dua të pensionohem te Reali
Sulmuesi Vinicius Junior thotë se dëshiron të mbetet te Real Madridi pasi fitoi Ligën e Kampionëve, duke shënuar në finale ndaj Borussia Dortmundit.
Gjiganti spanjoll triumfoi me rezultat 2:0 për t’u kurorëzuar kampion i Evropës për të 15-en herë falë golave të Dani Carvajalit dhe Viniciusit.
Braziliani menjëherë është pyetur për të ardhmen, mirëpo bëri me dije se as nuk e mendon largimin, përkundrazi është i hapur për të rinovuar pavarësisht që ka kontratë deri më 2027.
“Jam shumë i lumtur që e kam fituar edhe një herë Ligën e Kampionëve me këtë klub, që më ka dhënë kaq shumë. Është gjë e pabesueshme. Askush nuk mund ta ketë këtë eksperiencë edhe nëse e fiton disa herë. Duket aq lehtë të vish këtu dhe ta fitosh”.
“Kemi vuajtur tërë sezonin, me të gjitha lëndimet që kemi pasur. Të gjithë kanë punuar jashtëzakonisht fortë për të qenë këtu”.
“Jam shumë i lumtur që kam qenë këtu për këtë kohë kaq të gjatë. Shpresoj që presidenti të ma rinovoj kontratën sepse dua të qëndroj përgjithmonë këtu dhe të bëj historinë, si Carvajal, Nacho, Modric ose Kroos”.
“E kanë fituar nga gjashtë herë Ligën e Kampionëve dhe na kanë treguar rrugën si. Dua të jem si ata. Dua të pensionohem këtu edhe pse nuk e di nëse njerëzit e Flamingos do të lënë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Vinicius Jr është favoriti për ta fituar Topin e Artë dhe mund ta arrijë nëse e fiton Kupën e Amerikës me Brazilin në verë.