Trajneri i Qipros, Ketspaja: Duam ta shmangim play-offin, duhet rezultat pozitiv ndaj Kosovës - NACIONALE

Trajneri i Qipros, Ketspaja: Duam ta shmangim play-offin, duhet rezultat pozitiv ndaj Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kombëtares së Qipros, Timur Ketspaja është shprehur optimist para ndeshjes ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”.

Pas humbjes ndaj Irlandës Veriore dhe fitores së Qipros kundër Greqisë, pozita e dytë mbetet ende në dyshime, derisa të tre kombëtaret përpos grekëve mund të përfundojnë në ligën D.

E para kësaj ndeshje, në konferencë për media ka folur përzgjedhësi i Qipros, Ketspaja që është optimist për këtë sfidë.

“Ndeshje shumë e rëndësishme mendoj për të dyja skuadrat. Pas fitores ndaj Greqisë, ne duam të vazhdojmë serinë e fitoreve. Qëllimi ynë është të shmangim play-off-in. Për ta arritur këtë duhet të marrim një rezultat pozitiv nesër. Skuadra është gati. Ne po përgatitemi për ndeshjen. Gjithçka do të jetë mirë”, thotë fillimisht ai.

Tutje, ai dha lëvdata për lojtarët e Kosovës, por shtoi se edhe lojtarët e tyre kanë të ardhme përpara dhe nuk e meritojnë të luajnë në play-off.

“Ne do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv. Kosova ka lojtarë që luajnë në liga të forta. Dhe ne kemi lojtarë të mirë, djem të rinj që kanë të ardhme përpara tyre. Skuadra nuk e meriton të luajë në play-off”, nënvizoi ai.

Kurse, sulmuesi i Qipros, Pieros Sotiriou tha se do të jetë ndeshje e vështirë, por fitorja e fundit ndaj Greqisë do t'iu jep motiv shtesë.

"Ndeshje e vështirë për ne. Duhet të jemi të fokusuar dhe kemi qëllimin si në ndeshjen e fundit që të marrim rezultat pozitiv. Siç tha trajneri duhet t'i ikim play-off. Fitorja ndaj Greqisë është motivim shtesë. Të punojmë shumë, të ndjekim planin e trajnerit. Ne gjithashtu mund të shkojmë në pozitën e dytë. Unë besoj te bashkëlojtarët dhe stafi i trajnerëve. Besoj në fitore", deklaroi ai.

Për fund, kujtojmë se përballja mes Kosovës dhe Qipros zhvillohet nesër në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.

Lajme të ngjashme