Trajneri i Mallorcas: Muriqi për ne është pikë referimi, pa të kemi humbur dy ndeshje - NACIONALE

Trajneri i Mallorcas: Muriqi për ne është pikë referimi, pa të kemi humbur dy ndeshje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre, ka folur para ndeshjes që do ta luajë ekipi i tij sot kundër Valencias. Ai është shfaqur i lumtur për rikthimin e Vedat Muriqit, të cilin e ka quajtur pikë referimi për skuadrën.

Mallorca vjen nga një seri prej dy humbjeve radhazi në kampionat. Sevilla dhe Real Sociededad e mposhtën brenda një harku të shkurtër kohor. Në këto takime përkoi të mos ishte në gatishmëri për të luajtur sulmuesi “dardan”, Vedat Muriqi.

Aguirre e di mirë se çfarë rëndësie ka sulmuesi 28-vjeçar për ekipin e tij. Ai vetë e pranoi një gjë të tillë në konferencën për shtyp para ndeshjes që do të luhet sot në “Mestalla” ndaj Valencias.

“Të gjithë janë në gatishmëri për të luajtur. Të shohim nëse do ta bëjmë një paraqitje të mirë për të dalë me një rezultat po aq të mirë. Pa Muriqin kemi humbur ndeshje me rezultate 0:1 dhe 1:0. Është e qartë që kemi të bëjmë me një lojtar që për ne është pikë referimi”, nënvizoi ai.

Skuadra ishte shumë e parashikueshme në fazën e sulmit në mungesë të sulmuesit kosovar. Shumë raste për shënim u humbën, duke mos u arritur të konkretizoheshin. Për trajnerin meksikan rëndësia e përfaqësuesit kosovar buron edhe nga veti tjera që ai ka.

“Është një lojtar që inkurajon shumë të tjerët në zhveshtore dhe që ka një harmoni të madhe me Abdon dhe Angel. Shpresoj që të rikthehet me entuziazëm dhe – mbi të gjitha – me gola të shënuar”
, përfundoi ai.

Ndikimi i Muriqit te Mallorca

Humbjet e fundit ia kanë ndërlikuar punët ekipit ishullor spanjoll, që deri në xhiron e 8-t mbetej stabil në pozitat e gjysmës së tabelës.

Tani ndodhet në pozitën e 15-të me 9 pikë të grumbulluara. Mallorca ka një vështirësi të madhe në të shënuar gola. Deri në këtë fazë të kampionatit ka shënuar vetëm 7 sosh.

Në këtë aspekt më keq se ata janë vetëm Cadice dhe Elche, me 4, respektivisht 6 gola të shënuar. Për ironi të fatit, në rastin e golave të shënuar nga Mallorca nënkupton se mbi gjysma e tyre janë meritë e një lojtari të vetëm: Vedat Muriqi.

Ai ka shënuar 4 gola në kampionat, që përbën mbi gjysmën që ka shënuar tërë ekipi. Për këtë arsye Aguirre është i vetëdijshëm për peshën që ka sulmuesi 28-vjeçar në ekipin e tij.

Ndeshja parashihet të jetë e vështirë. Valencia vjen nga dy barazime radhazi, duke u renditur në pozitën e 8-t tabelore. Nën drejtimin e Gennaro Gattusos sot synohen që tre pikët të mbetën në “Mestalla”. Kjo ndeshje nis sot me fillim në ora 18:30.

Lajme të ngjashme