Taulant Xhaka: I thashë Granitit të mos luajë ndaj Serbisë, por ai do të jetë në fushë
Kombëtarja e Zvicrës do të përballet me Serbinë në kuadër të Ligës së Kombeve këtë të shtunë. Pas dueleve të Botërorin 2018 dhe 2022, tani sytë sërish do të jenë te kapiteni, Granit Xhaka.
Kjo është hera e parë për Granitin që udhëton në Serbi me kombëtaren për të luajtur atje dhe vëllau i tij që e ka provuar më parë këtë ndjenjë, është i shqetësuar.
"Mendova se nuk është e vërtetë", tha fillimisht Taulanti në momentin kur pa shortin që Zvicra do të përballej me Serbinë në Ligë të Kombeve.
Familja Xhaka duket e shqetësuar pas dueleve të nxehta në Botërorin 2018 dhe 2022, duke pasur parasysh që kjo ndeshje zhvillohet në Serbi.
Taulanti ishte pjesë e Shqipërisë kur ndeshja në Beograd u ndërpre me masa të rrepta dhune në vitin 2014.
"Unë e di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në kë këtë lojë."
Vëllau i madh e ka bërë detyrën e tij. Ai thotë se ka telefonuar Granitin dhe i ka thënë që të mos shkojë në këtë ndeshje, duke i kërkuar të flasë me trajnerin.
“I sugjerova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta anashkalonte këtë lojë, por të gjithë e njohim vëllanë tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën. Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen sërish kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuhet, por në fund gjithçka ka të bëjë me këtë: të luash një lojë futbolli dhe të fitosh”.