Sllovakia e turpëron Kombëtaren e Kosovës në Hendboll, zbehen gjasat për kalimin e fazës së parë kualifikuese
Kombëtarja e Kosovës në Hendboll sot ka zhvilluar ndeshjen e parë kualifikuese të fazës së parë për në Botëror, ku është mposhtur me 10 gola diferencë nga Sllovakia në udhëtim.
Dardanët në mungesë të tre lojtarëve kryesorë, Drilon e Drenit Tahirukaj dhe Burim Ramosajt, patën paraqitje jo shumë të mirë dhe ia kanë vështirësuar vetës punët për një përmbysje të rezultatit në ndeshjen kthyese në Prishtinë, që zhvillohet të dielën.
Ramosaj mungoi për shkak se siç u tha nga Federata se nuk pati leje nga vendi i tij i punës, ndërsa për vëllezërit Tahirukaj nuk pati një shpjegim të detajuar, por gazeta Nacionale mësoi se ata nuk erdhën për shkak të keqtrajtimit që morën në grumbullimin e fundit në muajin prill.
Sllovakia ndeshjen e sotme në palestrën Povazska Bystrica e dominoi tërësisht, duke mbyllur pjesën e parë fillimisht me gjashtë gola epërsi 15:9 dhe pastaj në pjesën e dytë 18:14, për ta vulosur fitoren me 10 gola diferencë 33:23.
Te Kosova më të dalluarit ishin Egzon Gjuka e Kushtrim Ninaj, që kontribuuan me nga pesë gola të shënuar, ndërsa te Sllovakia më i dalluari ishte Jakub Prokop me shtatë gola, Tomas Smetanka me gjashtë gola dhe Juraj Briatka me pesë gola.
Për të kaluar në fazën e dytë kualifikuese, Kombëtares së Kosovës të dielën do t’i duhet një fitore e madhe me 11 gola diferencë, në të kundërtën e përfundojnë rrugëtimin kualifikues për në Botëror këtu.
