Rybakina e mund Jabeurin dhe e fiton Wimbledonin duke u bërë tenistja e parë nga Kazakistani që fiton titull grand slam - NACIONALE

Rybakina e mund Jabeurin dhe e fiton Wimbledonin duke u bërë tenistja e parë nga Kazakistani që fiton titull grand slam

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Elena Rybakina, ka triumfuar në garën më të vjetër të Tenisit në botë duke u bërë kështu vetëm fituesja e parë nga Kazakistani që fiton një titull grand slam. Ajo në finale e mposhti tunizianen, Ons Jabeur në tre sete.

Kazakja u kthye në ndeshje pasi që në setin e parë u demolua nga Jabeur, kështu duke u bërë fituesja më e re e Wimbledonit individual që nga viti 2011. Ajo fitoi 2:1 në sete apo 3:6, 6:2, 6:2.

23-vjeçarja është e lindur në Moskë të Rusisë dhe fitorja vjen në vitin kur garuesit nga shteti i saj i lindjes e kanë të ndaluar të marrin pjesë në Wimbledon.

Ajo ndërroi nënshtetësinë në vitin 2018, pasi mori përkrahje financiare nga Kazakistani.

All England Club vendosi që lojtarët nga shteti i Rusisë dhe Bjellorusisë të mos u lejohet pjesëmarrja në këtë vit, pas pushtimit që Rusia i bëri Ukrainës, ndërsa Bjellorusia doli hapur në përkrahje të pushtimit.

Kazakja e re në gjashtë ndeshje sa zhvilloi në Wimbledon, në katër prej tyre nuk fitoi pa humbur asnjë set.

Aventurën e saj e filloi ndaj kanadezes Bianca Andreescu të cilën e kaloi lehtësisht, për t’u përballur me kinezen, Qinwen Zheng, në raundin e radhës, ku edhe këtë e mposhti 2:0.

Në 1/16 e më të mirave u përball me kroaten Petra Martic, e cila ishte arrë e lehtë për kazakën. Çerekfinalja ishte ndeshja e parë kur Rybakina humbi një set, dhe atë ndaj australianes, Ajla Tomljanovic, në të cilën ndeshje njëllojë si sot u kthye nga humbja për ta fituar 2:1.

Rybakina e cila është e 23-ta në botë në renditjen WTA e mposhti Simona Halepin në gjysmëfinale e cila një kohë ishte edhe numri një në botë. Kjo shkaktoi jo pak befasi tek përkrahësit e Tenisit nëpër botë, të cilët e shihnin Halepin si fituese të padiskutueshme por Rybakina tregoi kualitete e saj duke e mposhtur 2:0.

23-vjeçarja është gruaja më e re që arrin në një finale të Wimbledonit që nga viti 2015 kur Garbine Muguruza humbi nga Serena Willimas. Ndërsa është gruaja më e re fituese që nga viti 2011 i një Wimbledoni.

Lajme të ngjashme