Po çfarë Bashkimi Kombëtar: Qysh nisi me fjalë të mëdha e qysh u pezullua Liga Unike e basketbollit?! - NACIONALE

Po çfarë Bashkimi Kombëtar: Qysh nisi me fjalë të mëdha e qysh u pezullua Liga Unike e basketbollit?!

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

10 shtatori i vitit 2020 u quajt ditë historike për basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi atë ditë u themelua Liga Unike, por siç duket bashkimit kombëtar në basketboll po i vjen fundi, pasi sot u njoftua për pezullimin e saj të përkohshëm.

Bordi Drejtues i Ligës Unike ka vendosur që ta pezullojë këtë garë, për shkak të problemeve të fundit që janë evidentuar nga klubet basketbollistike shqiptare.

Tërheqja e dy klubeve shqiptare si KB Tirana dhe KB Teuta, ka ndërlikuar të gjithë formatin e garave, duke detyruar Bordin Drejtues që të dalë me një vendim për pezullimin e kësaj gare.

Në faqen zyrtare të Ligës Unike thuhet se do të shqyrtohen hapat për ristrukturimin e garës. KB Ylli dhe KB Peja kanë qenë fituese të dy edicioneve të para.

Ndërsa së voni kemi qenë dëshmitarë të shumë ndeshjeve të shtyra. Vetë edicioni i sivjetshëm nisi me vonesë dhe ishte e paqartë se kur dhe si do të zhvillohej, pa pasur njoftime të detajuara.

Ndonëse në konkurrencën e burrave u pezullua, aktiviteti në konkurrencën e grave do të vazhdojë me orarin e planifikuar.

Liga Unike u prezantua me shumë pompozitet, ku si pjesëmarrës në themelimin e saj ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e gjithashtu edhe ish-presidenti i Federatës së Botërore të Basketbollit, Turgay Demirel.

Por krejt çka u prezantua mbeti vetëm në titujt e gazetave që herë pas here mund t’i shikojmë për nostalgji, pasi pati dështim të madh në gjërat më të thjeshta, nisur me organizimin e ndeshjeve, problemeve me udhëtim, tërheqje në momentet e fundit, e shumë të tjera.

Dy edicione u zhvilluan, ai i pari u zhvillua me shumë probleme si shkak i pandemisë Covid-19 dhe u mbajt me vetëm tetë skuadra në formën e Finale 8, ku krejt në momentet e fundit u pasua me një tërheqje të skuadrës nga Shqipëria, KB Teuta, për të mbetur shtatë skuadra.

Me gjithë vështirësitë gara shkoi deri në fund, ku finalja u organizua në Durrës e dy skuadrat kosovare, Ylli e Peja u përballën, në fund për të triumfuar suharekasit.

Edicioni i dytë u zhvillua në kushte më normale, sërish me tetë skuadra pjesëmarrëse, por me një sistem vajtje ardhja, ku secila skuadër do të përballej me secilin nga dy herë.

Dy skuadrat e para në tabelë siguronin vendin direkt në gjysmëfinale, teksa katër të tjera luanin në çerekfinale për të zbuluar edhe dy gjysmëfinalistët tjerë.

Kësaj radhe tërheqje në momentet e fundit nuk pati, ndeshjet u zhvilluan me rregull dhe sërish patëm një finale mes Yllit e Pejës, që kësaj radhe u zhvillua në Karagaçi të Pejës.

Finalistët ishin të njëjtë, por jo edhe fituesi. Pejanët ia dolën të triumfonin përballë kampionit të Kosovës, duke e dominuar tërësisht.

Sezoni që përfundoi më 22 prill të këtij viti, po del të jetë i fundit i kësaj lige, që asnjëherë nuk përmbushi pritjet e dashamirësve të basketbollit.

Nga shumë u pa me skepticizëm e nga disa tjerë u quajt Bashkim Kombëtar nëpërmjet sportit, kjo është historia e të ashtuquajturës Ligë Unike, që asnjëherë nuk u duk e tillë, e përballur me problemet me të thjeshta si ato të udhëtimit Kosovë-Shqipëri, rrugë tre orëshe.

Lajme të ngjashme