Përzgjedhësi i Portugalisë: Me këta lojtarë mund ta fitojmë Kupën e Botës - NACIONALE

Përzgjedhësi i Portugalisë: Me këta lojtarë mund ta fitojmë Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, u shpreh besimplotë që kombëtarja që ai udhëheq mund ta fitojë Kupën e Botës.

Sot, Portugalia bëri publike listën e lojtarëve më të cilën do të luajë në Katar në kuadër të Kupës së Botës. Si në çdo rast tjetër, edhe kjo listë transmetoi paksa polemika sa i takon disa mungesave, nga Moutinho deri te Sanches.

Megjithatë, përzgjedhësi Fernando Santos mendon se kombëtarja e tij ka të gjitha cilësitë e duhura për të ngadhënjyer në Botëror.

“Mendoj se mund ta fitojmë Kupën e Botës. Kjo skuadër mund t’ia dalë. Favorite e shoh Francën, meqë është edhe kampione në fuqi”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket mungesave të Moutinhos dhe Sanchesit, ai iu përgjigj shtypit portugez duke thënë se vëmendja nuk duhet të zhvendoset nga skuadra dhe ana më e mirë e saj, para se të ndalohet te emrat specifikë që mungojnë.

“Nuk duhet të koncentrohemi tek emrat e përvetshëm dhe te mungesat e lojtarëve të caktuar. Duhet të mendojmë se çfarë është mirë për skuadrën”, shpjegoi ai.

Me rezerva për Ronaldon

Përzgjedhësi Santos nuk deshi të tregojë se si do të trajtohet Cristiano Ronaldo në këtë Botëror që po vjen, pasi dihet që pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk ka pasur minutazhin më të kënaqshëm me Ten Hag deri tani.

Gazetarët portugezë e pyetën se çfarë mund të japë Ronaldo, përgjigja e përzgjedhësit të kombëtares portugeze ishte si vijon: “Do të mundohemi të kuptojmë se cilat janë rrethanat më të mira për t’i ekzaltuar të gjithë lojtarët, përfshirë Ronaldon.”

Cristiano Ronaldo akoma nuk ka mundur që ta fitojë Kupën e Botës me Portugalinë. Ai në vitin 2016 fitoi Evropianin, edhe pse nuk ishte pjesë e finales së fituar kundër Francës, për shkak të lëndimit që vuante.

Si për atë, ashtu edhe për Leo Messin, shihet si mundësia e fundit për të triumfuar në Botëror. Leo Messi ka paralajmëruar edhe publikisht që ky do të jetë edicioni i fundit i Botërorit për të.

Sidoqoftë, një gjë të tillë nuk e ka pranuar deklarativisht edhe Cristiano Ronaldo. Ylli portugez është i uritur gjithmonë që ta japë më të mirën prej vetes, edhe pse mosha biologjike flet jo në favor të tij.

Ronaldo së fundi ka hasur në kritika të shumta nga shtypi portugez dhe nga tifozët në Portugali – që i kanë parë të zbehta dhe jo të mira paraqitjet e tij gjatë këtij viti kalendarik.

Me Portugalinë ai ka shënuar 117 gola në 191 paraqitje, duke dhënë një kontribut vërtet të çmuar për kombëtaren iberike.

Kujtojmë se Portugalia në Botërorin e Katarit 2022 do të jetë në Grupin H me Uruguajin, Korenë e Jugut dhe Nigerinë. Njëherësh, vlerësohet edhe si favoritja kryesore për të kaluar tutje.

Lajme të ngjashme