Përpos Trippier, edhe një yll tjetër i Anglisë mungon ndaj Maqedonisë së Veriut
Përzgjedhësi i Anglisë Gareth Southgate ka zbuluar se edhe Jarrod Bowen është larguar nga skuadra për t’u përballur me Maqedoninë e Veriut në ndeshjen përfundimtare në kuadër të kualifikuesve për “Euro 2024”.
“Tre Luanët” e kanë siguruar ‘biletën’ për në “Euro 2024” si fitues i grupit C, me Italinë që përballet me Ukrainën për vendin e dytë që të shpie në Gjermani.
Federata Angleze konfirmoi se Kieran Trippier është larguar shkaku i arsyeve personale, e kësaj liste iu bashkua edhe Bowen që ka marrë një lëndim.
“Fatkeqësisht Jarrod ka pësuar një lëndim, mendoj se ndjeu dhimbje dje dhe sërish sonte në fundin e stërvitjes”.
“Ne nuk kishim kohë të mjaftueshme për ta vlerësuar plotësisht dhe për të marrë një vendim vërtet të saktë para ndeshjes, kështu që u ndjemë më mirë ta linim atë në Angli në mënyrë që ai të mund ta vlerësonte siç duhet".
“Unë nuk mendoj se do të jetë ndonjë gjë serioze, por thjesht nuk kishim kohë të mjaftueshme dhe nuk do të rrezikonim në atë situatë”.
Bowen, që ka bërë pesë paraqitje për Anglinë pa shënuar gol, nuk pritej që të niste titullar me Bukayo Sakan që shihej si favoriti.
Nëse Anglia nuk pëson humbje ndaj Maqedonisë së Veriut, do ta mbyllin vitin 2023 pa asnjë humbje. Ata kanë fituar tetë nga nëntë ndeshjet këtë vit me vetëm një barazim ndaj Ukrainës në Poloni me rezultat 1:1 në muajin shtator.