Perandoria e City Football Group: nga Manchester City deri te Palermo - NACIONALE

Perandoria e City Football Group: nga Manchester City deri te Palermo

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Të hënën në mbrëmje do të zyrtarizohet kalimi i pronësisë së klubit të Palermos te City Football Group. Ky do të jetë klubi i 11-të që do të drejtohet nga kompania e udhëhequr nga sheiku Mansour.

Fillimi në Manchester City

Ishte vera e vitit 2008, pesë vjet para se të themelohej kompania City Football Group, kur Abi Dhabi United Group (ADUG), një shoqëri aksionere e drejtuar nga sheiku Mansour bin Zayed Nahyan, bleu Manchester Cityn prej afaristit tajlandez Shinawatra. Ky i fundit për shkak të skandaleve politike në vendin e tij të origjinës, u detyrua që t'i shiste aksionet e klubit vetëm një vit pasi i kishte blerë.

Pasi e zyrtarizuan blerjen e Manchester Cityt, pronarët e rinj pak ditë para se të përfundonte afati kalimtar i transferimit të lojtarëve, afruan Robinhon për 32,5 milionë funte, duke u bërë lojtari më i paguar i klubit deri në atë moment.

Tek në vitin 2011 erdhi edhe trofeu i parë nën drejtimin e pronarëve të rinj, pasi fituan Kupën FA, duke mposhtur Stoke Cityn. Plot 35 vjet agjërim nga trofetë, morën fund mu atëherë.

Në fund të 2011-ës, erdhi edhe sponsorizimi i parë serioz afatgjatë. Bëhet fjalë për Etihad Airways, një kompani ajrore nga Emiratet Arabe, e cila nënshkruajti një marrëveshje për 10 vite si sponsor i fanellave dhe i stadiumit. Në vitin 2013 projekti i City Football Club filloi së implementuari.

Një mori klubesh në pronësi

Kur City Football Group filloi si projekt, atëherë filloi ta mendojë zgjerimin, duke siguruar aksionet e klubeve tjera nëpër botë. Këtë gjë e bënë për herë të parë me New York City në vitin 2015.

Mandej, koncentrimi i tyre kaloi në Australi, atje ku për 12 milionë dollarë blenë aksionet e Melbourne City.

Më pastaj, të njëjtën praktikë e aplikuan edhe me Yokohama F. Marinos, ku siguruan 20% të aksioneve të klubit. Më vonë morën edhe pronësitë e klubeve, si: Girona, Sichuan Jiuniu, Mumbai, Lommel, Troyes e për të përfunduar me Palermon Pra, në tërësi, janë 11 klube nën drejtimin e tyre.

Çelësi i suksesit

Janë shumë faktorë që kanë bërë të mundur që projekti i City Football Group të rezultonte i suksesshëm në këto vite.

Ato që mund të renditen si esencialet janë këto:

- Zhvillimi i talentit: lojtarët e rinj shihen si asete të volitshme për të rritur përfitimet sportive dhe ekonomike;

- Futbolli i bukur: njëri prej synimeve kryesore është që t'i ndihmohet skuadrës kyçe, Manchester Cityt, që ta formojë organikën më të mirë të mundshme. Futbolli që mësohet në akademi është sulmues, me spektaklin që konsiderohet parësor;

- Argëtimi: faktor kyç për City Football Group. Të tërheqin tifozë dhe komunitete të ndryshme me nisma brenda dhe jashtë fushës;

Për fund, mund të thuhet se City Football Club ka për qëllim që të jetë një promotor i sukseseve në futboll përmes një stili loje atraktive, ku poenta është të garantohen përfitimet komerciale, ekonomike, politike dhe diplomatike - të cilat do t'i justifikonin masat e ndërmarra nga Abu Dhabi për të investuar një shifër të madhe parash. Krejt kjo shpeshherë e shoqëruar nga një vrenjtësirë, ku jo gjithmonë menaxhimi vihet mbi bazën e transparencës dhe llogaridhënies.

Lajme të ngjashme