Paraqitje zhgënjyese nga Kombëtarja e Kosovës, mposhtet me rezultat të thellë nga Rumania
Kombëtarja e Kosovës ka pasur një mbrëmje për t'u harruar në nisje të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, pasi ka pësuar humbje të thellë 3:0 ndaj Rumanisë, në stadiumin Fadil Vokrri, në Prishtinë.
Ndonëse Dardanët e nisën mirë takimin, duke krijuar gjysmë raste, me depërtime të mira e dominim në posedim të topit, por rastet konkrete munguan.
Në anën tjetër, Rumania, përfitoi nga gabimet individuale të lojtarëve të Kosovë, për të shënuar në pothuajse çdo rast të tyre, teksa goditën shtyllën në dy raste të tjera.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 40-të, kur Dennis Man, shënoi gol të bukur nga distanca, pas një gabimi në mesfushë nga Elvis Rexhbeçaj.
Buone notizie per il #Parma dalle Nazionali: Dennis #Man ha segnato l’1-0 della Romania sul Kosovo in Nations League pic.twitter.com/7RP5ls0UYN
— Guglielmo Trupo (@guglielm87) September 6, 2024
Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë e takimit, teksa mysafirët shënuan edhe dy gola të tjerë në 45 minutat në vazhdim.
Valon Berisha bëri një ndërhyrje katastrofale në zonë me të filluar pjesa e dytë. Gjyqtari kryesor me ndihmën e VAR-it akordoi penallti, ku Razvan Marin, në minutën e 51-të, shënoi për 2:0.
Denis Dragus u kujdes që t'ia jepte goditjen e fundit Kosovës. Fidan Aliti bëri gabim amator, ku përfitoi Mihalia, i cili goditi fuqishëm, me Aro Muric që e ndali fillimisht, teksa nga topi i kthyer u pësua goli për 3:0.
🔔⚽️ GOAL | Denis Drăguş | 🇽🇰 Kosovo 0-3 Romania 🇷🇴pic.twitter.com/m72dbyI8D0
— Goals Xtra (@GoalsXtra) September 6, 2024
Mërgim Vojvoda për më tepër mori karton të kuq pas dy ndëshkimeve me karton të verdhë, për t'u përjashtuar në minutën e 85-të.
Me rezultatin 3:0 u mbyll takimi në Fadil Vokrri, me Kosovën që zhgënjen në ndeshjen e parë në Ligë të Kombeve.
Tani Rumania dhe Qipro janë në krye të grupit C2, me këta të fundit që më herët fituan 1:0 ndaj Lituanisë.