Liga e Kombeve: Franca i rikthehet fitores, Kroacia, Belgjika dhe Holanda triumfojnë në ndeshjet përkatëse - NACIONALE

Liga e Kombeve: Franca i rikthehet fitores, Kroacia, Belgjika dhe Holanda triumfojnë në ndeshjet përkatëse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Franca pas gjashtë muajsh i është rikthyer fitores, duke mposhtur Austrinë me rezultat 2:0. Fitore shënuan edhe Kroacia, Belgjika dhe Holanda. Kroacia mposhti 2:1 Danimarkën, Belgjika triumfoi 2:1 ndaj Uellsit dhe Holanda ngadhënjeu ndaj Polonisë 0:2.

Pas shumë kohësh, Giroud u rikthye të ftohej me Francën. Ai sonte formoi tandemin sulmues me Mbappen, ku së bashku shkëlqyen, duke shënuar gola që të dytë.

Me këtë fitore Franca doli në pozitën e tretë tabelore, duke shmangur për momentin rënien në Ligën B. Kur jemi te i njëjti grup, Kroacia siguroi pozitën e parë të paktën deri në ndeshjen e fundit, pas fitores që korri ndaj Danimarkës, që është edhe rivalja direkte e saj.

Ndërsa, sa i përket grupit tjetër, atij 5, Holanda dhe Belgjika fituan në ndeshjet respektive, duke ia lënë javës së fundit që të përcaktohet se cila kombëtare do të dalë e para, pasi pas tre ditësh do të përballen njëra ndaj tjetrës, kur Holanda do të jetë nikoqire.

Të gjitha golat që u shënuan në Ligën A

Grupi 1: Golat e ndeshjes Francë 2:0 Austri

Franca nuk shkëlqeu në pjesë të parë dhe 45 minutat fillestare të ndeshjes u mbyllën me rezultat 0:0.

Mirëpo dallimi u bë në pjesëlojën e dytë. Ishte Kylian Mbappe ai që me një gol magjeps i dha epërsinë Francës në minutën e 56-të.

Nëntë minuta më vonë epërsinë e dyfishoi qendërsulmuesi me përvojë, Olivier Giroud, duke vulosur me këtë epilog edhe fitoren.

Golat e ndeshjes Kroaci 2:1 Danimarkë

Kroacia nxori një fitore të madhe në terrenin vendës, duke ia marrë primatin Danimarkës në grup.

Të gjitha golat u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht në epërsi Kroacinë e kaloi Sosa në minutën e 49-të.

Eriksen rikthimin në ekipin kombëtar danez po e legjitimon në tërësi, pasi shënoi një gol që ishte thjesht kryevepër në minutën e 77-të. Gol i cili mundësoi barazimin e rezultatit.

Mirëpo baraspesha në rezultat zgjati vetëm pak minuta, pasi Kroacia riktheu epërsinë me anë të golit të Majer 2 minuta më vonë.

Grupi 4: Golat e ndeshjes Poloni 0:2 Holandë

Holanda ka arritur të shënojë një fitore më të lehtë sesa që pritej.

Ekipit kombëtar të udhëhequr nga Van Gal epërsinë ia solli goli i Gakpo në minutën e 14-të.

Ndërsa, në minutën e 60-të ishte Bergwijn ai që shënoi golin e sigurisë.

Golat e ndeshjes Belgjike 2:1 Uells

Pjesa e parë ishte vendimtare për fituesin e kësaj ndeshjes dhe aty u vu në spikamë i gjithë talenti mbresëlënës i De Bruyne.

Fillimisht ylli i Manchester Cityt realizoi një gol të bukur në minutën e 10-të.

Më pastaj, epërsinë e dyfishoi Batshuayi në minutën e 37-të.

Mysafirët u munduan që të riktheheshin në lojë me anë të golit të Moore, që shënoi në minutën e 50-të, por kjo nuk mjaftoi që ta parandalonin humbjen.

Rezultatet që u shënuan në Ligat C dhe D

Në Ligën C ishin dy grupe që zhvilluan ndeshjet e tyre përkatëse.

Në grupin 3, Sllovakia konfirmoi krizën e rezultateve në të cilën po kalon, pasi pësoi humbje si vendëse përballë Azerbajxhanit me epilog 1:2.

Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Kazakistani fitoi përballë Bjellorusisë me rezultat të ngushtë 2:1, duke siguruar përfundimisht primatin në grup.

Në grupin 1 u shënua rezultati më befasues. Edhe pse s’mund të flasim më për Luksemburgun e dikurshëm, në nivel thuajse amator, prapëseprapë llogaritet dështim fakti që Turqia nuk arriti t’i mposht as si vendëse. Ndeshja përfundoi me rezultat 3:3. Madje, turqit tek në fund shënuan golin e barazimit, duke rrezikuar që të dilnin me një humbje turpëruese. Gjithsesi, me këtë rezultat ata siguruan pozitën e parë tabelore.

Në sfidën tjetër të po këtij grupi Lituania dhe Ishujt Faroe u ndanë baras, 1:1. Kësisoj, Lituani do të zbresë në Ligën D.

Sa i përket Ligës D, sot u luajtën vetëm ndeshjet e grupit 1. Aty u zhvillua përballja direkte mes Letonisë dhe Moldavisë, të cilën e fituan mysafirët, duke iu afruar në vetëm dy pikë kreut të tabelës, të cilin e mbajnë pikërisht letonezët.

Kurse, në takimin mes Lihtenshtajnit dhe Andorrës, këta të fundit ngadhënjyen me rezultat 0:2. Kujtojmë se Lihtenshtajni po rrezikon ta mbyllë këtë grup pa asnjë pikë të vetme të grumbulluar.

Lajme të ngjashme