Koulibaly i kundërpërgjigjet presidentit të Napolit: Nevojitet më shumë respekt ndaj lojtarëve afrikanë - NACIONALE

Koulibaly i kundërpërgjigjet presidentit të Napolit: Nevojitet më shumë respekt ndaj lojtarëve afrikanë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Napolit, De Laurentis, është shfaqur shumë kritik ndaj futbollistëve afrikanë, për shkak se largohen në mes të kampionatit për ta luajtur Kupën e Afrikës. Këto deklarata nuk i kanë pëlqyer ish-mbrojtësit të Napolit, Koulibaly.

"Nuk blej më futbollistë afrikanë. Mjaft". Kjo ishte një pjesë e deklaratës që sot bëri De Laurentis, presidenti i Napolit. Sigurisht, një gjë e tillë nuk kaloi pa reagime të ndryshme.

I njohur si president kontravers, De Laurentis nuk ka hezituar asnjëherë që të rebelohet me instanca të ndryshme të futbollit, qoftë ato vendore apo ndërkombëtare, që sipas tij minojnë interesat e klubeve.

Në rastin e deklaratave të sotme, nga shumëkush ato u panë si raciste dhe të papranueshme.

Koulibaly i kundërpërgjigjet De Laurentisit

Gjatë konferencës për shtyp që u zhvillua sot, kur Koulibaly u prezantua edhe zyrtarisht si lojtar i Chelseat para gazetarëve britanikë, nuk mungoi pyetja rreth deklaratave të De Laurentis.

Përgjigja e Koulibaly ishte e qartë, duke treguar se ishte ndjerë gjatë kohës kur luante në Napoli, në fazën kur niste Kupa e Afrikës.

"Kur luaja me Napolin unë përfaqësoja Senegalin dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Mirëpo, duhet respekt për Kombëtaret afrikane dhe lojtarët e tyre. Gjëja më e rëndësishme është pikërisht kjo. E vërtetë, ka qenë e vështirë të shkoja në Kupën e Afrikës gjatë mesit të kampionatit, por si kapiten i Senegalit nuk më duket e drejtë të flitet për një kombëtaren që meriton respekt"
, nënvizoi 31-vjeçari.

Tutje, ai tregoi se qëndrimi i De Laurentis nuk beson se përfaqëson edhe atë të shumë tifozëve dhe banorëve të Napolit.

"Nëse ai është mendimi i De Laurentis, atëherë e respektoj. Është e drejtë e tij të mendojë që ta ndërtojë një skuadër pa lojtarë afrikanë. Por, jam i sigurt që shumë njerëz te Napoli nuk e mendojnë si ai, qoftë brenda klubit apo qytetit", ka përfunduar mbrojtësi senegalez.

Çfarë tha konkretisht De Laurentis rreth lojtarëve afrikanë?

Të shumtë janë opinionistët dhe gazetarët sportivë në Itali që daljet e De Laurentis i vlerësojnë të ngutura dhe të pamenduara mirë, ku debati që nxitet është gjithnjë i pashmangshëm.

Kështu ndodhi edhe kur ai gjatë ditës së sotme vendosi të flasë me tone të ashpra për lojtarët afrikanë, të cilët zgjedhin t'i përfaqësojnë kombëtaret e tyre në mesin e sezonit, duke dëmtuar interesat e klubit që i paguan, në këtë rast Napoli.

"Mjaft më me afrikanë ose le të mos i pranojnë ftesat për të luajtur në Kupën e Afrikës. Unë nuk do të blej më (lojtarë afrikanë) për këtë arsye. Ne i paguajmë pagat për t'i dërguar që të luajnë vërdallë botës, në kohën kur jemi në mes të kampionatit"
, është shprehur De Laurentis.

Këto deklarata kanë nxitur reagime të njëpasnjëshme, por të njëjtat nuk është se i kanë bërë shumë përshtypje presidentit të Napolit.

Lajme të ngjashme