Kosova U21 i nis përgatitjet për miqësoret ndaj Maqedonisë së Veriut - NACIONALE

Kosova U21 i nis përgatitjet për miqësoret ndaj Maqedonisë së Veriut

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar stërvitjen e parë në kuadër të dy miqësoreve që do t’i zhvillojnë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Përzgjedhësi Agim Tovërlani ka nisur punën me gjeneratën e re të “Dardanëve të Rinj”, ndërsa në këto dy sfida do të shohin nëse lojtarët e meritojnë këtë ftesë.

Gjenerata është ndërruar, kemi vetëm tre apo katër futbollistë nga grumbullimi i mëparshëm. Kjo është stërvitja e parë dhe takimi i parë me disa prej lojtarëve të rinj. Do të zhvillojmë një lojë mes vete për të marrë më shumë informacione dhe për të kuptuar situatën e secilit prej tyre. Kjo do të na shërbejë për të parë ekipin dhe për të planifikuar përbërjen e skuadrës. Është një mundësi për lojtarët të tregojnë nëse e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës”, tha “Toki” për faqen zyrtare të FFK-së.

Ndërsa, futbollistët Etnik Brrutie Leon Zeqiraj besojnë në kualitetin e skuadrës.

Ndjehem shumë mirë që kemi këtë mundësi. Grupi është i shkëlqyer dhe loja jonë është mirë e organizuar. Mund të luajmë shpejt dhe të realizojmë pasime të shkurtra, gjë që na ndihmon të zhvillojmë një lojë të shpejtë dhe të strukturuar,” shtoi ndër të tjera Zeqiraj.

Këto dy miqësore me Maqedoninë e Veriut janë një test i vlefshëm për ne lojtarët dhe për stafin. Na ndihmojnë për të vlerësuar formën e secilit prej nesh dhe për të përmirësuar lojën për ndeshjet e ardhshme. Ne jemi të fokusuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për të arritur fitore”, u shpreh Bruti.

Të dy ndeshjet do të zhvillohen në kampin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup. E para do të zhvillohet më 14 nëntor në ora 13:00, ndërsa e dyta më 17 nëntor nga ora 12:00.

Lajme të ngjashme