Kosova me disa prurje të reja për ndeshjet e marsit, por s'e thërret Ermal Krasniqin - NACIONALE

Kosova me disa prurje të reja për ndeshjet e marsit, por s'e thërret Ermal Krasniqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Amar Gëraxhiu dhe Arbnor Muja janë thirrur për herë të parë nga Kosova për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 këtë muaj, por jo edhe Ermal Krasniqi.

Trajneri Alain Giresse i ka ftuar 26 futbollistë për ndeshjet kundër Izraelit më 25 mars dhe kundër Andorrës më 28 mars, raporton Nacionale.

Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Izraelit të shtunën me 25 mars, para se ta presë Andorrën në Prishtinë të martën më 28 mars.

Muja, që po shkëlqen te Royal Antwerp prej se iu bashkua këtij klubi nga Drita, është ftuar për herë të parë, bashkë me Gërxhaliun, 20-vjeçarin e talentuar të klubit turk Antalyaspor.

Ermal Krasniqi është mbase mungesa që do të ngrejë më së shumti pikëpyetje në listën e trajnerit francez, pasi ish-ylli i Ballkanit është duke shkaktuar stuhi me Cluj në futbollin rumun.

Për më tepër, Krasniqi shkëlqeu me dy gola e një asist në Ligën e Konferencës sivjet, dhe pati paraqitje mbresëlënëse edhe kundër Lazios përkundër eliminimit të Cluj.

Alion Rrahmani i Ballkanit është lojtari i vetëm nga Superliga e Kosovës që ia del në listën e Giresse. Sulmuesi 22-vjeçar i ka shënuar 12 gola në 21 ndeshje në ligë sivjet

Dardanët do të grumbullohen në Prishtinë pas ndeshjeve të ligave këtë fundjavë dhe do të jenë nën urdhrat e trajnerit Giresse të hënën me stërvitjen e parë.

Leart Paqarada është rikthyer në Kombëtare dhe pritet të jetë një aset i vlefshëm në krahun e majtë, aty ku Kosova ka vuajtur viteve të fundit.

Pas një mungesë të shkurtër janë kthyer edhe Valon Berisha e Bersant Celina.

Lajme të ngjashme