Kongresi i UEFA-s në Beograd, FFK me reagim të çuditshëm: Flamuri u hoq kur presidenti nuk ishte në sallë
Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë me dije se Kosova në Kongresin e 49-të të UEFA-s, i cili është mbajtur në Beograd, është përfaqësuar me simbole shtetërore.
Duke reaguar ndaj raportimeve për heqjen e flamurit të Kosovës nga salla ku është mbajtur ky kongres, FFK-ja ka njoftuar se ky veprim ka ndodhur kur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nuk ishte në sallë.
Sipas FFK-së, ky veprim nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi.
“Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, është thënë në komunikatën e FFK-së.
FFK-ja ka dënuar veprimet e huliganëve serbë për djegien e flamurit të Kosovës.
“Sigurisht, si gjithmonë, persona të caktuar ndjekin agjenda kundër Kosovës dhe largojnë nga tavolina, madje edhe djegin flamurin e shtetit tonë (siç ndodhi mbrëmë në Beograd nga tifozë të klubeve serbe), por Kosova si shtet është dhe mbetet një realitet i pakthyeshëm. FFK-ja menjëherë do të paraqesë notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare lidhur me këto veprime, që janë kundër vlerave që promovon UEFA”, ka vlerësuar FFK-ja, duke shtuar se Kosova në këtë kongres është përfaqësuar me të gjitha simbolet shtetërore.
“Gjithsesi, edhe një herë ritheksojmë se Kosova u prezantua si e barabartë me të gjitha simbolet e saj dhe gjithçka ka shkuar sipas protokollit të UEFA-s deri në pjesën përfundimtare të punimeve. FFK-ja falënderon UEFA-n për trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Si gjithmonë, ne do të vazhdojmë të punojmë për ta forcuar futbollin tonë dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka vlerësuar FFK-ja.
Pas paraqitjeve në mediave të pamjeve të flamurit të Kosovës në kongres, ka reaguar Federata Serbe e Futbollit.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, federata serbe ka njoftuar se e ka hequr flamurin e Kosovës nga salla.
“Organizimi i jashtëzakonshëm u zbeh nga një neglizhencë e organizatorëve, të cilën një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jo-futbollistike. Reaguam së bashku, shpejt dhe vendosmërisht, dhe me përgjegjësi të plotë informojmë publikun se sot në Kongresin e UEFA-s në Beograd nuk ka flamuj apo simbole të të ashtuquajturit Kosovë”, është thënë në deklaratën e federatës serbe, duke kërkuar falje për një lëshim të tillë.
“Kërkojmë falje për çdo qytetar tonin, veçanërisht bashkatdhetarëve tanë në Kosovë dhe Metohi, të cilët u shqetësuan dhe u lënduan nga kjo lëshim i organizatorëve, i cili u korrigjua menjëherë me reagimin tonë”, është thënë në komunikatë.
Ndërkohë, mediat serbe kanë publikuar video ku mbrëmë disa huliganë serbë e kanë djegur flamurin e Republikës së Kosovës.
Navijači pale zastavu lažne države Kosovo pic.twitter.com/iYJPWGmItV
— Pluton (@Pluton45873221) April 3, 2025