KATAR 2022 | Zvicra me mund triumfon ndaj Kamerunit, Xherdan Shaqiri asiston te goli i fitores - NACIONALE

KATAR 2022 | Zvicra me mund triumfon ndaj Kamerunit, Xherdan Shaqiri asiston te goli i fitores

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Zvicrës ka shënuar një fitore të vështirë ndaj Kamerunit, në kuadër të xhiros së parë për fazën e grupeve.

"Helvetikët" fituan me rezultat minimal 1:0, sfidë që ishte shumë e baraspeshuar deri vonë.

Kamerun në pjesën e parë dominoi shumicën e kohës dhe kishin disa raste të arta, që nuk i konkretizuan.

Fillimisht Bryan Mbeumo goditi nga distanca, ku Yann Sommer bëri një pritje të bukur, e nga topi i kthyer nuk përfitoi Karl Toko Ekambi.

Tutje, ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me Zvicrën që mundohej ta mbante posedimin, e Kameruni kur mundej hidhej në "sulm" përmes kundërzbritjeve falë anësorëve këmbëshpejtë.

Sidoqoftë, asnjëra nga kombëtaret nuk i finalizuan aksionet prandaj epilogu i kësaj pjese rezultoi të jetë 0:0.

Në pjesën e dytë, ishte Zvicra që kaloi në epërsi pas vetëm tre minutave. Qendërsulmuesi Breel Embolo mori një pasim të mrekullueshëm nga Xherdan Shaqiri dhe e konkretizoi në gol.

Embolo pastaj kërkoi falje për golin, pasi ai është me prejardhje nga Kameruni.

Vlen të ceket se edhe ky asistim ishte i rëndësishëm për Shaqën, pasi me statistika i bie që në pesë turnet e fundit është i përfshirë në 50 për qind të 24 golave (tetë gola dhe katër asistime).

Deri në fund, të dy kombëtaret provuan ta gjejnë rrugën drejtë rrjetës por asnjëra më nuk e arriti.

Kështu, ky gol rezultoi të jetë i pikëve të plota për Zvicrën në këtë sfidë. Tani, skuadra e drejtuar nga Yakin është lider në grupin G me tre pikë të mbledhura, derisa Kamerun qëndron në fund pa pikë.

Në raundin e dytë, Zvicra do ta zhvillojë derbin ndaj Brazilit, derisa Kameruni do të ketë punë me Serbinë.

Lajme të ngjashme