FFK-ja po e shkel ligjin duke e mbajtur të fshehtë ndaj klubeve dhe publikut përmbajtjen e ujdisë me sponsorin gjeneral - NACIONALE

FFK-ja po e shkel ligjin duke e mbajtur të fshehtë ndaj klubeve dhe publikut përmbajtjen e ujdisë me sponsorin gjeneral

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon ta mbajë të fshehtë ndaj publikut dhe madje klubeve të veta anëtare përmbajtjen e marrëveshjes me sponsorin gjeneral të Superligës, Albi Mall, me sa duket duke e shkelur ligjin për OJQ-në dhe statutin e vet, të cilat e detyrojnë t’i njoftojë klubet dhe publikun rreth çfarëdo ujdie.

Në prag të fillimit të sezonit të ri 2022/23 në gusht, FFK-ja njoftoi se kishte arritur marrëveshje dyvjeçare me qendrën tregtare Albi Mall – me Superligën që e mori emrin e saj – pa dhënë asnjë hollësi tjetër përveç kohëzgjatjes së saj.

Klubet janë ankuar se janë lënë në terr duke mos u njoftuar nga federata për përmbajtjen e marrëveshjes me sponsorin gjeneral të Superligës apo se cilat do të jenë përfitimet e tyre nga ajo.

FFK-ja as nuk më ka dërguar mua të dhëna e as klubit për këtë marrëveshje. Ne nuk jemi konsultuar as paraprakisht për të na treguar të paktën se cila është oferta por as tani se cila është ajo”, ka thënë për Gazetën Nacionale drejtori i Prishtinës, Artan Osmani.

Drejtori i Drenicës, Taulant Dajaku, konfirmoi po ashtu se as klubi nga Skenderaj, megjithëse anëtar i Superligës, nuk është njoftuar nga federata për marrëveshjen.

S’e di, s’kam asnjë ide çfarë përmban marrëveshja se është një terr informativ. Ne nuk ia kemi idenë sa është shuma e shitjes dhe nuk dimë se si do të procedohet tutje, por jemi me shpresë se do dalin informacionet dhe kontrata te publikohet sepse mendoj se është obligim ligjor te behet kjo gjë”, tha Dajaku i pyetur nga Nacionale rreth përmbajtjes së ujdisë.

FFK-ja është organizatë joqeveritare dhe duke e mbajtur të fshehtë përmbajtjen e marrëveshjes, duket se ajo e ka shkelur ligjin Për Lirinë e Asocimit Në Organizata Joqeveritare, më saktë nenin 11, i cili thekson se një “OJQ vepron me përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe me transparencë në të gjitha fazat e veprimtarisë së saj”.

Gazeta Nacionale ka mësuar se shtëpia e futbollit ua ka ndarë klubeve pa paralajmërim nga një këst, apo këstin e parë, në vlerë prej 7.500 eurove si të hyra nga sponsori gjeneral Albi Mall.

Por klubet s’e dinë se sa para iu takojnë saktësisht nga kjo marrëveshje apo kur do ta marrin këstin e radhës.

Pra, FFK-ja në njërën ndër fazat më të rëndësishme të saj, atë të sponsorizimit, ka vepruar plotësisht në kundërshtim me nenin 11, duke treguar mungesë të skajshme transparence, e duke i lënë në terr informativ vetë klubet, të cilat e ka pasur obligim t’i njoftojë.

Artani shtoi: “Ne duhet të dimë sa para na takojnë nga sponsori gjeneral, për projeksione financiare të klubit. Federata neve nuk na tregon kurrë në fillim të vitit e sa do të përfitojmë nga marrëveshjet (e sponsorizimit). Unë në fillim të vitit unë nuk e di si ta bëj buxhetin bazuar në pjesën e federatës, sepse ajo nuk na tregon kurrë sa para na takojnë.”

FFK-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Gazetës Nacionale për koment rreth kësaj çështjeje.

Edhe Gjilani ka konfirmuar se nuk është njoftuar nga federata rreth përmbajtjes së marrëveshjes apo të hyrave që do t'i përfitojë nga ajo, pa dashur të komentojë më tutje.

Vendimi i FFK-së për ta mbajtur të fshehtë përmbajtjen e marrëveshjes me sponsorin gjeneral bie ndesh edhe me vetë statutin e federatës mbi transparencën në punë, neni 63, i cili thekson se “aktivitetet e FFK-së janë të hapura për publik” në pikën 1, dhe se “FFK-ja informon për aktet tjera juridike dhe vendimet e përgjithshme përmes buletinit zyrtar të cilat i dërgohen çdo klubi të FFK-së” në pikën 3.

Osmani dhe Dajaku thanë se federata s’i kishte njoftuar klubet as për bisedimet dhe ofertën e Albi Mallit para se të nënshkruante marrëveshje me të, e lëre më për përmbajtjen e saj.

Po sigurisht edhe e ka për obligim nga ligjet e shtetit si OJQ t’i publikojë të hyrat dhe marrëveshjet kontraktual, aq më shumë kur ky është dashur të ishte një ankand i hapur, kur janë bërë ofertat”, nënvizoi Dajaku.

Disa klube të tjera e kanë pranuar privatisht për Gazetën Nacionale se nuk janë njoftuar fare rreth përmbajtjes së marrëveshjes, por kanë ngurruar të flasin publikisht për shkak të presionit.

Lajme të ngjashme