Feronikeli '74 apo Prishtina e Re, cila skuadër do të luajë në Superligë sezonin e ardhshëm?
Feronikeli '74 dhe Prishtina e Re do të përballen sot në ndeshjen e play-offit, ku përfundimisht do të mësohet se cila skuadër do të garojë në Superligë sezonin e ardhshëm.
Skuadra nga Drenasi në këtë ndeshje vjen, pasi që në sezonin që lamë pas, përfunduan në vendin e tetë në Superligë të Kosovës, ndërsa në anën tjetër klubi nga Hajvalia që ishte nënkampion në Ligën e Parë të grupit B.
Normalisht, Feronikeli konsiderohet favoriti kryesor për këtë ndeshje, duke pasur skuadër më me përvojë, por që Prishtina e Re tregoi shumë shpirt luftarak për të arritur deri këtu.
Prishtina e Re është një skuadër e re, e themeluar vetëm pak vite më parë, duke u ngjitur nga kategoria më e ulët, fillimisht për t'u promovuar në Ligën e Dytë, pastaj në Ligën e Parë dhe tani synon Superligën.
Ata mposhtën Dinamon e Ferizajt në play-offin e Ligës së Parë, ndonëse edhe në atë ndeshje nuk ishin skuadër favorite, por portieri Egzon Bislimi u tregua fantastik, duke pritur gjashtë penallti dhe për t'ia mundësuar skuadrës së tij një mundësi të artë për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar.
Feronikeli '74 një skuadër e rikonstruktuar, që hyri në Superligë sezonin që lamë pas, kishte mundësinë t'i ikte këtij pozicioni për 'Jetë a Vdekje', por që gabuan shumë herë rrugës. Ata kanë në anën e tyre përvojën, me skuadër më të plotë dhe një histori pas vete, ku janë shpallur tre herë Kampion i Kosovës.
Gjithësesi, përballja që zhvillohet në stadiumin '18 qershori' në Klinë me fillim nga ora 15:00, do të prodhojë emocione të veçanta për dy tifozëritë.
Skuadra fituese vazhdon garën në Superligën e Kosovës në sezonin 2024/25, ndërsa ajo humbëse do të luajë në Ligën e Parë, që do të jetë e unifikuar dhe jo më me dy grupe siç ishte këto sezonet e fundit.