Çfarë po ndodh me Lirinë e Prizrenit? Qe disa muaj në menaxhim privat, por vazhdon me statusin si OJQ - NACIONALE

Çfarë po ndodh me Lirinë e Prizrenit? Qe disa muaj në menaxhim privat, por vazhdon me statusin si OJQ

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Tashmë që disa muaj, klubi futbollistik Liria është në menaxhim privat, por asgjë nuk ka ndryshuar në atë aspekt, me klubin që vazhdon të jetë e regjistruar si OJQ dhe të përfitojë subvencione nga Komuna e Prizrenit.

Më 15 prill, Rrahman Kiqe fitoi të drejtën nga gjashtë anëtarët për ta menaxhuar klubin nga Prizreni ku edhe pas shumë premtimeve ende asgjë nuk ka ndryshuar, ku Liria vazhdon të mos jetë e privatizuar dhe mbetet si OJQ.

Kështu, kjo punë është lënë jashtë dore që një kohë të gjatë dhe disa persona në kushte anonimiteti për gazetën Nacionale thonë se ka filluar të ketë ndikim edhe te futbollistët që janë të pakënaqur në disa aspekte (paga) edhe pse zyrtarisht nuk e konfirmojnë.

Po ka shumë pakënaqësi në klub qoftë edhe nga futbollistët te paga, edhe pse nuk e konfirmojnë zyrtarisht”, thotë një burim pranë klubit.

Duke u interesuar për statusin juridik të klubit pse nuk ka ndryshuar, kemi kontaktuar kryetarin aktual të klubit, Qemal Krasniqin i cili nuk i priti mirë pyetjet.

Gjatë bisedës për Nacionalen, Krasniqi bëri të qartë se klubi do të vazhdojë të mbetet si OJQ dhe brenda vitit do të fillojnë punën ta rikthejnë në sh.p.k.

"Shumë klube janë private dhe janë OJQ. Mos u merrni me qito... Liria ende është OJQ dhe deri në fund të vitit do të mbetet kështu. Brenda kësaj periudhe do të fillojmë administrativisht me punu që brenda vitit të kthehemi në SH.P.K. Mundet me na u tek që brenda një muaji ose brenda një javë të kthehemi, por jemi duke punuar si OJQ pavarësisht që jemi klub privat".

I prekur me pyetjet u deklarua pastaj ku shtoi se ‘një gazetar i mirëfilltë nuk ka çka i intereson për Lirinë a është OJQ apo jo’.

Një gazetar i mirëfilltë nuk ka çka i intereson për Lirinë a është OJQ apo kur do të kthehet, e tmerrshme”, përfundoi i pakënaqur kryetari i klubit që garon në Ligën e Parë.

Me rikthimin e Lirisë në sh.p.k. (gjë që normalisht duhet të jetë e obliguar) ata më nuk do të fitonin para nga subvencionet, ku së fundmi nga Komuna e Prizrenit kanë fituar më shumë se 80 mijë euro.

Për këtë situatë, Nacionale ka kontaktuar edhe drejtorin e komunës për Rini, Kulturë e Sport në Prizren, Adem Morina që deklaroi shkurtimisht se nuk iu takon të flasin për menaxhimin, por që klubi merr subvencione nga komuna.

"Klubi është i pavarur dhe nuk ka të bëjë aspak me ne. Krejt klubet që i ndihmojmë na i subvencionojmë, por nuk mund të flasim për pjesën tjetër të menaxhimit", ishte përgjigja e tij e shkurtër.

Ndërkohë, Liria edicionin e ri 2022/23 në Ligën e Parë do ta zhvillojnë këtë të premte kundër Rahovecit me fillim nga ora 17:00.

Lajme të ngjashme