Brighton thellon krizën e Liverpoolit duke barazuar në "Anfield", Chelsea mposht Crystal Palacen me përmbysje - NACIONALE

Brighton thellon krizën e Liverpoolit duke barazuar në "Anfield", Chelsea mposht Crystal Palacen me përmbysje

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Brighton me meritë arriti të barazojë kundër Liverpoolit në “Anfield” me rezultat 3:3. Në anën tjetër, Chelsea me Graham Potter e shijoi fitoren e parë sot, pasi mposhti 1:2 Crystal Palacen në udhëtim.

Ndeshje me shumë emocione ishin ato mes Liverpool – Brighton dhe Crystal Palace – Chelsea, të cilat u zhvilluan me fillim në ora 16:00.

Brighton u paraqit denjësisht në “Anfield”, duke i shkaktuar jo pak probleme Liverpoolit. Nëse krahasohen rastet konkrete për gol, më produktiv ishte Brighton sesa vetë Liverpooli. Këta të fundit nuk patën ndonjë dallim të madh me ndeshjet paraprake, ku Alexander-Arnold dhe Van Dijk bënë gabime katastrofike.

Për Chelsean më në fund erdhi fitorja e shumëpritur, pasi mposhti Crystal Palacen në stadiumin e tij, në një ndeshje shumë të rivalizuar.

Raporti i ndeshjes Liverpool 3:3 Brighton

Kjo ishte ndeshja e parë për trajnerin italian, De Zerbi, në krye të stolit të Brighton. Skuadra mysafire e nisi rrufeshëm ndeshjen në “Anfield”.

Zhvillohej minuta e 4-të, kur pas një seri pasimesh të bukura në zonën e rreptësisë, Brighton gjeti golin e epërsisë me Trossard.

Alexander-Arnold sërish ra nga pozita, duke mos mbuluar mirë kundërshtarin. Një dukuri që tashmë është shndërruar në normalitet për mbrojtësin anglez, i cili u la edhe jashtë listës së Anglisë për ndeshjen kundër Gjermanisë pikërisht për gabime të tilla.

Me aq nuk mbaroi tryesnia e Brighton. Ata patën edhe një mori aksionesh të bukura në çerekun e parë të lojës.

Goli i dytë për ta erdhi sërish nga një gabim i Alexander-Arnold, që nuk ia doli ta largojë topin me kokë. Në vazhdën e atij aksioni Trossard shënoi golin e dytë personal dhe të dytin për skuadrën, për t’i heshtur kësisoj tifozët e Liverpoolit.

Vendësit filluan tek pas minutës së 20-të që të krijonin raste shënimi. Megjithatë, Liverpoolit iu desh pak fati që ta rikthejë vetëbesimin. Në minutën e 33-të, Salah u shërbye mirë në zonë dhe në përpjekje për të goditur, topi shkoi në këmbët e Firminos, i cili e shpiu në rrjetë. Fillimisht gjyqtari e anuloi për pozitë jashtë loje, por VAR-i konstatoi se ishte gol i rregullt.

Me rezultat 1:2 në të mirë të Brighton ekipet iu drejtuan zhveshtoreve për pauzën 15-minutëshe. Në pjesën e dytë, Liverpool e nisi menjëherë me një zëvendësim. Carvalho doli nga loja, për t’i lënë vend Diazit. Kjo lëvizje doli të ishte e qëlluar.

Në minutën e 54-të ishte pikërisht Diaz që pas një vrapimi të shpejtë, hyri në zonë dhe shërbeu Firminon, i cili ishte i lirë. Sulmuesi brazilian me një lëvizje mashtruese arriti që ta shënojë edhe golin e radhës për t’i barazuar shifrat.

Nuk vonoi shumë dhe Liverpool siguroi edhe golin e tretë. Në minutën e 63-të, gjatë ekzekutimit të një këndore, Brighton ishte i pafat, pasi u krijua një rrëmujë në zonë, me ç’rast Webster shënoi një autogol, edhe pse deri në atë moment ishte ndër më të mirët në fushë.

Sido që të jetë, Brighton nuk u dorëzua dhe në fund mori atë që me të drejtë i takoi: barazimin. Trossard kompletoi trigolëshin e tij personal në këtë ndeshje, pasi në minutën e 83-të goditi saktë drejt portës. Edhe Van Dijk ndihmoi jo pak në këtë situatë, meqë nuk ia doli që ta spastrojë topin.

Kështu, Liverpooli thellon krizën e vet, ndërsa Brighton edhe me De Zerbin tregoi se ka potencial për të bërë një kampionat mjaft të mirë.

Raporti i ndeshjes Crystal Palace 1:2 Chelsea

Chelsea assesi të rikthehet te fitorja. Ndeshja mes dy ekipeve londineze në “Selhurst Park” ishte tejet e luftuar.

Së pari në përparësi kaluan nikoqirët, pasi në minutën e 4-të sulmuesi francez Edourd arriti pak metra para portës ta devijojë me këmbë topin drejt rrjetës.

Skuadra e Potter haste në shumë pengesa për të dalë te loja e vet, falë edhe kompaktësisë së Crystal Palace.

Sidoqoftë, ata ia dolën ta barazojnë rezultatin në minutën e 38-të, falë një goli të bukur nga Aubameyang, që ishti edhe i pari i tij me fanellën e Chelseat.

Pjesa e parë mbaroi me rezultat 1:1.

Pasi u rikthyen skuadrat në fushë, ndeshja ishte akoma me më pak raste shënimi, por momentin vendimtar në ndeshje e shënoi një ish-lojtar i Crystal Palace: Gallagher. Talenti i Chelseat në minutën e 90-të pranoi mjaft mirë topin nga Pulisic dhe arriti që të shënojë gol, për t'ia sjellur kështu Potterit dhe ekipit të tij fitoren në kampionat.

Ai goditi nga distanca saktë nga distanca, duke shënuar kështu një gol të bukur.

Kjo është gjendja në renditjen tabelore në Premierligë pas sfidave të luajtura deri më tani.

Lajme të ngjashme