Atletico Madrid fiton bindshëm kundër Celta Vigos
Atletico Madrid ka shënuar një fitore të thellë me rezultat 4:1 kundër Celta Vigos. Me këtë triumf ata e ngushtojnë dallimin në pikë me Barcelonën dhe Real Madridin që prinë në renditjen tabelare.
Skuadra e Diego Simeones i është gëzuar fitores së dytë rresht brenda një javëje, pas ngadhënjimit në dramën kundër Portos në mesjavë në Ligën e Kampionëve.
Vendësit për asnjë moment nuk e vunë në dyshim fitoren, duke u treguar konkretë siç ka dëshirë ta aplikojë lojën skuadra edhe vetë trajneri argjentinas, Simeone.
Në këtë ndeshje me paraqitje të mirë u veçua ish-mesfushori kreativ i Udineses dhe përfaqësuesi argjentinas, De Paul.
Raporti i ndeshjes Atletico Madrid 4:1 Celta Vigo
Pjesa e parë u karakterizua me një lojë të baraspeshuar, ku asnjëra prej skuadrave nuk arrinte që të ishte dominuese në asnjë parametër.
Mirëpo ishin nikoqirët nga Madridi ata që gjetën të parët golin. Sulmuesi Correa u tregua i saktë me goditjne e tij, duke shënuar për golin që mundësoi zhbllokimin e rezultatit në minutën e 9-të të takimit.
Deri në fund të 45 minutave të para Atletico Madrid ia doli që ta ruante epërsinë. Në pjesën e dytë Celta Vigo provoi që ta bënte më dinamike ndeshjen, duke provuar që të avanconte në pjesën e sipërme të fushës, për ta gjetur rrugën e golit për ta rikthyer rezultatin në baraspeshë.
Kështu nuk ndodhi, pasi në minutën e 50-të ishte Atletico Madrid që dyfishoi epërsinë. De Paul pranoi një top të mirë nga mesfushori me përvojë Koke, duke goditur më pastaj në mënyrë precize brenda katërkëndëshit të portierit kundërshtar.
Nga ky moment gjithçka po shkonte në të mirë të nikoqirëve. Kësisoj, ata kishin situatën në kontroll dhe nuk po gabonin thuajse asgjë.
Si rrjedhojë, erdhi edhe deri te goli vijues për Atletico Madridin. Atë e shënoi Carrasco në minutën e 66-të të takimit, duke çuar shifrat në 0:3.
Pas pesë minutash lojë, mysafirët nëpërmjet mesfushorit të ri Velga gjetën golin e nderit dhe të vetmin në lojë. 20-vjeçari u shërbye mjaft mirë nga sulmuesi Aspas. Velga vuri në spikamë të gjithë dinakërinë e tij, duke goditur në drejtim të shtyllës së parë pingule, për ta zënë në befasi portierin Oblak.
Për t’ua katandisur edhe më shumë punët Celta Vigos, u përkujdes vetë mbrojtësi i saj, Nunez, i cili në minutën e 82-të shënoi një autogol, që thelloi epërsinë e Atletico Madridit në 4:1.
Me këtë rezultat përfundoi edhe tërë ndeshja. Atletico Madrid shkon në kuotën e 10 pikëve në pozitën e katërt tabelare, 3 më pak se Barcelona që përkohësisht ndan pozitën e parë, pas fitores që e arriti në mbrëmje kundër Cadiz me rezultat 0:4.

