Atleti më premtues i Kosovës po stërvitet për Olimpiadë në kushte të tmerrshme në oborrin e shtëpisë - NACIONALE

Atleti më premtues i Kosovës po stërvitet për Olimpiadë në kushte të tmerrshme në oborrin e shtëpisë

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

"Këtu ushtron ky a?” Ky kishte qenë reagimi i habitshëm i një zyrtari të huaj nga agjencia anti-doping kur ai i kishte trokitur Muhamet Ramadanit befas në derë për testin e dopingut, pasi kishte mbetur gojëhapur kur e kishte parë se në çfarë vendi po ushtronte tash e shumë vjet atleti mbase më premtues olimpik i Kosovës.

Ta shohësh nga afër palestrën e tij të hapur e improvizuar në oborrin prapa shtëpisë nuk ke si mos ta ndash ndjesinë e zyrtarit anti-doping.

Ramadani, 19 vjeç, filloi të stërvitet në oborrin e shtëpisë rreth tri vite më parë, kur stadiumi olimpik Adem Jashari iu nënshtrua rindërtimit.

“Vendi ku ushtroj unë është i improvizuar plotësisht, i ndërtuar nga unë e babai, pas mbylljes së stadiumit Adem Jashari. Jemi detyruar ta ndërtonim në shtëpi këtu”, tha Ramadani për Gazetën Nacionale.

Palestra e tij e improvizuar është tejet e vogël dhe e ngushtë, gjë që ia bën atij të vështirë dhe të parehatshme stërvitjen dhe zhvillimin e teknikave të hedhjes së gjyles.

Shaban Ramadani, babai dhe trajneri autodidakt i 19-vjeçarit kujton habinë e zyrtarit të huaj me kushtet stërvitore të të birit gjatë një vizite të paparalajmëruar të tij në shtëpinë e tyre për testin e dopingut.

“Kur erdhi një zyrtar i huaj i agjencisë anti-doping, ai e kapi kokën me duar dhe pyeti, ‘a këtu ushtron ky a?’. Kushte deri tani nuk kemi pasur, por po presim ndërtimin e një palestre të vogël nga [Ministria e Sportit]”, tregoi ai.

Përkundër të gjitha vështirësive dhe kushteve të këqija, Ramadani ka qenë plotësisht i mrekullueshëm gjatë këtyre viteve, duke u bërë kampion evropian për dy herë për 18-vjeçarët dhe një herë për 20-vjeçarët, si dhe nënkampion evropian për 23-vjeçarët. Dhe pesë herë kampion i Ballkanit.

Ai është kampioni i parë evropian në Atletikë nga Kosova në çfarëdo kategorie.

“Në të gjitha stinët kemi telashe për të ushtruar, sepse në verë bën shumë nxehtë dhe dielli është pengesë e madhe, në dimër është bora, shiu dhe të ftohtit”, tregoi Ramadani.

Për shumë arsye, tregimi i Ramadanit është tejet frymëzues, jo vetëm për atletët në vend, po kudo në botë, dhe jo vetëm sepse zhvillimi i tij i hovshëm si atlet nuk është penguar nga kushtet shumë të këqija. Por sepse në moshën 14-vjeçare, ai vendosi të merrej me atletikë si një mënyrë për ta luftuar mbipeshën, kur e zbuloi rastësisht potencialin që ka për ta hedhur gjylen.

Ai është shpresa e vetme e Kosovës në këtë disiplinë të atletikës, dhe i riu më i mirë në Ballkan dhe Evropë në vitet e fundit.

I pyetur se çfarë e shtyu të merrej me hedhjen e gjyles, një sport aspak i popullarizuar në vend, Ramadani tregoi: “Kam qenë mbipeshë, pas një kohe babai bisedoi me një trajner të atletikës në Mitrovicë. Filluam me vrapim dhe pastaj provuam hedhjen e gjyles, e pashë së mund të jem i suksesshëm në Kosovë dhe kështu fillova të ushtroj edhe më shumë. Babai ka qenë aty prej fillimit, por pas tre muajve të parë ai e vërejti që kam potencial dhe filloi të merrej me mua seriozisht.”

Shabani thotë se Ministria e Sportit i ka premtuar ndërtimin e një palestre të vogël të mbuluar në oborrin e shtëpisë, Muhameti do të mundë t’i vazhdojë përgatitjet për arritjen e normës olimpike për Lojërat Olimpike Verore në vitin 2024 në Paris.

Me ndihmën e Federatës së Atletikës së Kosovës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, Ramadani e ka dorëzuar në Ministrinë e Sportit një plan për ndërtimin e një mini-palestre në oborrin e shtëpisë, i cili pritet t'i miratohet së shpejti.

Lojërat Olimpike dhe synimi drejt hapit të madh

Ramadani e ka mbizotëruar plotësisht çdo kategori për të rinj, duke u bërë kampion ballkanik plot pesë herë dhe kampion i Evropës për të rinj tri herë, duke u bërë atleti i parë nga Kosova që arrin këtë sukses.

Ai po garon tani në kategorinë U23, të fundit para se ta bëjë hapin e madh dhe vendimtar për të kaluar në senior. Prandaj, ai po stërvit pesë herë në javë, teknikën e hedhjes së gjyles, vrapimin pranë lumit Ibër dhe në peshëngritje në palestër.

Hedhja më e mirë e gjyles shtatë kilogramë nga ai është rreth 19 metra largësi, prandaj ai duhet të përmirësohet për dy metra, për ta arritur cakun e 21 metrave, që është e nevojshme për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2024 përmes normës olimpike.

Babai dhe trajneri i tij dëshiron që Ramadani t’u shkojë gjërave hap pas hapi dhe ta krijojë përvojën në olimpiadën e radhës, para se të synojë medalje olimpike më 2028 në SHBA, kur ai do t’i ketë mbushur 25 vjet dhe të jetë futur në pikun e karrierës.

“Ai është dy metra larg arritjes së normës olimpike. Synimi është të shkojmë atje dhe të renditemi diku në mes, jo në fund. Qëllimi kryesor do të jenë lojërat olimpike në SHBA më 2028, sepse atëherë Muhameti do të jetë 26-vjecar, pra në pikun e karrierës së vet”, theksoi Shabani.

Ramadani nuk dëshiron t’i ngutë gjërat, por të punojë me durim: “Synimi është të punoj shumë dhe t’i mbërrij disa metra më shumë, pasi që ende jam i ri për të kërkuar medalje [si senior]. Për senior ende nuk e kam hedhjen e duhur, sepse për kategorinë U23 jam ndër më të mirët e Evropës.”

Çfarë e bën tregimin e Ramadanit edhe më mahnitës është fakti se babai i tij Shabani nuk është marrë asnjëherë me atletikë në jetën e vet dhe ai nuk ia kishte haberin për disiplinën e hedhjes së gjyles kur u përkushtua për t’i ndihmuar të birit të luftojë mbipeshën dhe e vërejti potencialin në të.

Shabani e ka përdorur internetin fillimisht për të mësuar profesionin e trajnerit të hedhjes së gjyles dhe tani merr pjesë edhe në trajnime jashtë vendit.

Ne e kemi nisur këtë sport rastësisht, nga halli për shkak të mbipeshës, dhe dalëngadalë duke e parë talentin e tij për këtë sport dhe falë rrjeteve sociale ku kam mësuar dhe kopjuar [nga trajnerët e tjerë], ngapak kemi nisur ta ndërtojmë këtë sport. Kohëve të fundit kam shkuar edhe nëpër kampe trajnuese të cilat më kanë ndihmuar shumë". tregoi ai.

Shabani duket të jetë një njeri i rreptë, pasi ai nuk e lejonte 19-vjeçarin të pijë uji me akull në vapën e madhe të cilën ai donte ta luftonte sikurse ne në oborrin e tij.

“Jo që jam strik, por rregullave duhe t’u përmbahet ai, sepse nëse nuk je strikt dhe i disiplinuar, atje ku synojmë të shkojmë ne, në lojërat olimpike, pa qenë i tillë nuk mund as t’i paramendosh ato. Për më tepër, unë jam trajner autodidakt, nuk jam profesionist në këtë punë dhe ndoshta kjo më bën të jem tepër i rreptë, edhe aty ku nuk duhet, në mënyrë që të mundë ta arrijmë qëllimin, gjë për të cilën nuk kemi dështuar deri tani”, përfundoi Shabani.

Me një palestër të mirëfilltë për t’u stërvitur dhe me një trajner profesional në të ardhmen, Shabani ka shumë shpresa se i biri i tij është kampion i ardhshëm olimpik.

Lajme të ngjashme