Arteta thotë se nuk do ta ndërronte asnjë lojtar të Arsenalit për Alexander Isak
Ndonëse goli i Alexander Isak i solli tre pikë Newcastle Unitedit ndaj Arsenalit, trajneri Mikel Arteta ka thënë pas ndeshjes se nuk do ta ndërronte asnjë lojtar të tij me sulmuesin suedez.
Duke folur për mediat pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Newcastle të shtunën, Arteta mohoi që skuadra e tij aktuale kërkon një sulmues, duke besuar se lojtarët tashmë në dispozicion të tij janë të mjaftueshëm.
Në një ndeshje të vendosur nga një gol në pjesën e parë nga Isak, një goditje me kokë cilësore që la David Raya pa reagim, Artetas iu parashtruan pyetje në lidhje me opsionet sulmuese. Arteta e nisi me Kai Havertz dhe Leandro Trossard në pozicionet më të avancuara, por gjermani nuk arriti të regjistrojë asnjë goditje në portë, ndërsa belgu kishte një tentativë të bllokuar dhe një tjetër humbi objektivin.
Performanca e dobët në sulm vjen pas raportimeve që Arsenali donte të nënshkruante me Isak në verë dhe vazhdonte të ishte i interesuar për të. Megjithatë, Arteta mohoi se skuadrës së tij i mungon një lojtar i profilit të suedezit.
Duke adresuar mungesën e një sulmuesi të njohur, Arteta tha: "I dua lojtarët e mi dhe nuk do t'i ndërroj me askënd tjetër".
Dhe kur u pyet se ku e lë Arsenalin humbja në garën për titull, Arteta u përgjigj: "Pas tetë, nëntë ose 10 ndeshjesh sezonin e kaluar, ne nuk folëm për titull dhe nuk do të flasim për të tani. Ka të bëjë me mënyrën se si reagojmë ndaj humbjes. Ne nuk do të gjejmë fjalët ose përgjigjet e duhura për të përshkruar se si ndihemi. Ne duhet të reagojmë në fushë të mërkurën në mbrëmje ndaj Interit. Ne kërkojmë të jemi më të mirë çdo javë, sot nuk ishte versioni ynë më i mirë”.
Arteta dhe Arsenali duhet të rikuperohen shpejt nga kjo humbje, pasi së pari do të luajnë kundër kampionit italian Inter në Ligë të Kampionëve të mërkurën përpara se të udhëtojnë në Stamford Bridge të dielën e ardhshme për t'u përballur me Chelsean.