Agbonlahor: Po të isha në vend të Arnoldit do të largohesha nga kombëtarja - NACIONALE

Agbonlahor: Po të isha në vend të Arnoldit do të largohesha nga kombëtarja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-sulmuesi anglez i Aston Villas, Gabriel Agbonlahor, është prononcuar rreth vendimit të Gareth Southgate që Alexander-Arnold të lihej jashtë listës për ndeshjen e fundit ndaj Gjermanisë.

Në Angli ka ngjallur debat vendimi i përzgjedhësit anglez, Gareth Southgate, për të mos llogaritur në shërbimet e mbrojtësit të djathtë të Liverpoolit, Alexander-Arnold, në ndeshjen e fundit ndaj kombëtares gjermane.

Gabriel Agbonlahor nuk ka qëndruar indiferent, duke thënë mendimin e vet, i cili ishte tërësisht në përkrahje të yllit të Liverpoolit, që për hir të vërtetës po kalon në një formë të brishtë në këtë fillim sezoni.

Për Agbonlahorin është paradoksale të lihet jashtë Alexander-Arnold, duke thënë se e meritonte të jetë më lart në hierarki të kombëtares.

Agbonhlahor thirrje Alexander-Arnoldit të largohet nga kombëtarja

Cilësohet si kontrovers dhe shpesh futet në debate të mëdha. I tillë është Agbonlahor, ku së fundmi u prononcua rreth ndodhive të fundit në kombëtaren angleze.

“Nëse do të isha në vend të Alexander-Arnold do të tërhiqesha nga kombëtarja angleze nëse nuk do të ftohesha në Botëror. Do të largohesha deri sa nuk do të vinte një përzgjedhës tjetër për ta marrë drejtimin e Anglisë, duke më dhënë mundësinë që të luaj”, nënvizoi ai për “Talksport”.

Tutje, ish-ylli i Aston Villas foli edhe për lojtarët tjerë që luajnë në pozitën e mbrojtësit të djathtë, duke bërë një paradigmë mes tyre dhe mbrojtësit të Liverpoolit.

“Southgate me aq sa duket nuk është se i preferon para tij vetëm Kyle Walker dhe Reece James, por edhe Kieran Trippier. Mendoj që është një ofendim. Më pëlqen Trippier, por Trent është lojtar më i mirë. Walker dhe James për mua janë më të mirë sesa Trent, por jo edhe Trippier”, deklaroi ai.

Anglia zhgënjeu sërish, duke humbur kundër Italisë dhe duke barazuar me Gjermanisë në Ligën e Kombeve, në kuadër të Ligës A. Këto rezultate i kushtuan shtrenjtë kombëtares angleze, pasi ra një ligë më poshtë, në atë B.

Gjatë ditës së sotme medie të ndryshme në Britani të Madhe raportuan se ekziston një mundësi reale që Gareth Southgate të pushohet nga pozita e përzgjedhësit të kombëtares menjëherë pas mbarimit të Botërorit, Katar 2022.

Ende nuk dihet se cila do të jetë lista vendimtare e Anglisë me të cilën do të udhëtojë drejt Katarit për ta luajtur Botërorin. Alexander-Arnold nuk përjashtohet që të lihet edhe një herë jashtë listës zyrtare, pavarësisht të gjithë debatit të ngritur.

Kombëtarja angleze në Botëror ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër Iranit më 21 nëntor, kurse më pastaj do të luajë ndaj SHBA-ve më 25 nëntor, ndërsa krejt në fund do të ndeshen kundër Uellsit, në derbin britanik.

Lajme të ngjashme