Valon Berisha: Dëshiroj ta kem një akademi të futbollit për t'u ndihmuar talentëve në Kosovë - NACIONALE

Valon Berisha: Dëshiroj ta kem një akademi të futbollit për t'u ndihmuar talentëve në Kosovë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Valon Berisha ka qenë ndër lojtarët e parë që pati pranuar ftesën e Kosovës pa kushtëzime. Ai është i lidhur shumë me Kosovën. Këtë gjë e rikonfirmoj edhe në një rrëfim të dhënë ndryshe për mediumin norvegjez Tv2, transmeton gazeta Nacionale.

Mesfushori kosovar, Valon Berisha, po shijon ditët e fundit të pushimeve, para se t'i kthehet fazës parapërgatitore me Reims. Gjatë sezoneve të fundit ka qenë subjekt i shumë lëndimeve, të cilat ia kanë komprometuar disi edhe karrierën. Ndjeshmëria në lëndime e ka penalizuar tej mase.

Para disa ditësh vizitoi Kosovën, kurse tani gjendet në Norvegji, atje ku jetojnë edhe familjarët e tij. Thënë ndryshe, në vendin ku ka lindur ai vet.

Sot, Berisha është treguar i hapur për mediumin norvegjez Tv2, ku ka dhënë një intervistë ndryshe, duke shfaqur edhe disa ambicie të padëgjuara më herët.

Në kuadër të kësaj interviste, Valon Berisha shpreh fillimisht dy ëndrrat e tij që vazhdon t'i ketë.

"Njëra ëndërr është të luaj në ndonjë Kupë në nivel kombëtaresh me Kosovën, ndërsa tjetra të luaj në Premierligë. Pavarësisht vështirësive, dua t'i them vetvetes që ia kam dalur dhe që arrita të luaj në Premierligë", shtoi Berisha.

Ai në vazhdim të intervistës tregoi edhe çfarë mendon të bëjë në të ardhmen si futbollist.

"Pastaj, jam i hapur për të provuar ndonjë përvojë zbavitëse. Ta zëmë, të luaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (MLS) ", deklaroi ai.

Mesfushori 29-vjeç nuk e mohoi as mundësinë që të rikthehet në Norvegji të luajë së bashku me vëllain e tij, Vetonin, por për këtë dha një afat kohor të caktuar se kur do të mund të ndodhte.

"Rikthimi te skuadra e Viking mund të ndodhë. Natyrisht!
Mirëpo, sigurisht që jo tani.

"Gjithmonë është ndjesi e bukur të kthehesh aty ku ke qenë më herët. Kështu që, një transferim te skuadra e Viking mund të ndodhë në pesë apo gjashtë vitet e ardhshme. Do të ishte shumë e bukur po ta mbyllja karrierën si futbollist së bashku me Vetonin (i cili luan te skuadra e Viking)", nënvizoi Berisha.

Në fund të intervistës, Valon Berisha shpalosi edhe planet e tij se çfarë ka ndërmend të bëjë porsa t'i japë fund karrierës si futbollist.

"Sigurisht se në fillim do ta bëjë një pushim të shkurtër. Me shumë mundësi do ta kaloj një vit vërdallë , duke lundruar paksa për ta parë botën. Do të udhëtoj anëkënd, derisa të shoh se çfarë lloji i jetesës do të më tërhiqte më shumë.

"Mendoj që do të kishte qenë shumë mirë ta kisha një akademi të futbollit me emrin "Valon", për t'i ndihmuar të rinjtë në Kosovës, në mënyrë që ta kenë një mundësi të bëjnë karrierë jashtë vendit dhe jo sepse dua të përfitoj diçka, por vetëm t'u ndihmoj.

"Dëshiroj t'u jap një mundësi tjerëve. Kjo është më e pakta që mund të bëj", përfundoi Valon Berisha.

Mesfushori kosovar karrierën e ka filluar në Norvegji. Si futbollist u regjistrua në shkollën e futbollit të qytetit ku u rrit, Egersund. Më pastaj, u transferua në Viking, për t'i vazhduar më vonë edhe përvojat e ndryshme jashtë vendit nordik, si në Salzburg, Lazio, Dusseldorf dhe Reims ku aktivizohet tani.

Lajme të ngjashme