Titulli, top 4 dhe mbijetesa: Dita e fundit e sezonit në Premierligë tejet dramatike - NACIONALE

Titulli, top 4 dhe mbijetesa: Dita e fundit e sezonit në Premierligë tejet dramatike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në ditën e fundit të sezonit 2021/22 në Premierligë nuk do të ketë garë vetëm për titull, por edhe për top katërshe e mbijetesë, gjë që do ta bëjë tejet dramatike përmbylljen e këtij sezoni në mbase ligën më të fortë në botë.

Të gjitha ndeshjet e ditës së fundit të sezonit në Premierligë luhen sot në orën 17:00.

Manchester City dhe Liverpooli do të futën në ndeshjet e tyre të fundit me mundësinë për t’u shpallur kampion të Anglisë.

Manchester City është lider me 90 pikë, i ndjekur nga Liverpooli me vetëm një pikë më pak.

Skuadra e Pep Guardiolës e pret Aston Villën, ndërsa ajo e Jurgen Kloppit e pret Wolvesin.

Villa dhe Wolves nuk do të ketë për çfarë të luftojnë në ditën e fundit të sezonit, pasi janë jashtë Evropës tashmë.

Megjithatë, Villa udhëhiqet nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, i cili - pasi ka dështuar ta fitojë titullin në Premierligë si futbollist i të kuqve, mund ta ndiejë nevojën për t’i bërë nder klubit të fëmijërisë.

Nëse City e mund Villën atëherë do ta fitojë titullin, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër Liverpool - Wolves.

Një barazim mes City dhe Villës dhe një fitore e Liverpoolit kundër Wolves do ta shpallte Liverpoolin kampion në ditën e fundit të sezonit.

Lufta për top katërshe

Derisa City, Liverpooli dhe Chelsea janë kualifikuar në Ligën e Kampionëve tashmë si tri të parat në tabelë, Tottenhami dhe Arsenali do të luftojnë për vendin e katërt në ditën e fundit.

Tottenhami futet në ndeshjen e fundit kundër Norwich Cityt të rënë nga liga me 68 pikë në vendin e katërt, dy pikë më shumë se Arsenali në vendin e pestë, i cili përballet me Evertonin që javën e kaluar e siguroi mbijetesën.

Tottenhamit i Antonio Contes e ka përparësinë ndaj Arsenalit, pasi me fitore ndaj Norwichin të Milot Rachicës e mbyll vitin në vendin e katërt, pavarësisht rezultatit në ndeshjen Arsenal – Everton.

Për shkak të goldallimit më të mirë, edhe barazimi mund t’i mjaftojnë Tottenhamit ndaj rivalit të vet londinez, pasi Arsenalit do t’i duhej ta mposhte 16:0 Evertonin për ta kaluar Tottenhamin në vendin e katërt me pikë të barabarta.

Praktikisht, skuadra e Mikel Artetës duhet të shpresojë në një disfatë të Tottenhamit ndaj Norwichit dhe ta mposhtë vetë Evertonin për ta siguruar Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Lufta për mbijetesë

Norwich City dhe Watfordi kanë rënë nga Premierliga tashmë dhe sot në ditën e fundit atyre do t’iu bashkohet një skuadër tjetër në kategorinë e dytë të futbollit anglez – Championship.

Leeds United dhe Burnley do të luftojnë për të mbetur në elitë, të dyja kanë nga 35 pikë, por ky i fundit e ka përparësinë e goldallimit më të mirë.

Leedsi do të përballet me Brentfordin, ndërsa Burnley me Newcaslte Unitedin.

Lajme të ngjashme