Rrudhani impresionues: Eksploziv në krah dhe bashkëpunues në fazë mbrojtëse - NACIONALE

Rrudhani impresionues: Eksploziv në krah dhe bashkëpunues në fazë mbrojtëse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Donat Rrudhani e fitoi garën për një pozitë titullari me Benjamin Kolollin në ndeshjen ndaj Irlandës Veriore. Rreth tij u ndërtua narrativa skepticiste, por në ndeshje i bëri të gjithë për vete.

23-vjeçari kosovar vetëm dy ditë më herët u zyrtarizua si lojtari më i ri i Young Boys, klubit më të organizuar zviceran gjatë viteve të fundit. Ai vinte nga një sezon shumë stabil me Aarau, ku kishte bërë paraqitje të mira, duke shënuar 9 gola në ligën e dytë zvicerane dhe duke kontribuar me 12 asiste tjera.

Rrudhani mori ftesën e Kosovës pas një viti që kishte debutuar për herë të parë me dardanët. Atëbotë, në grumbullimin e qershorit të vitit paraprak, ishte pjesë e dy ndeshjeve të para ndaj dy kombëtareve afrikane, Guineas dhe Gambisë. Për hir të së vërtetës, nuk kishte qenë as në mesin e lojtarëve më të dalluar në ato ndeshje, por ishin rrethana tjera. Ato ishin thjesht ndeshje testuese që u luajtën në Turqi.

Sezoni i mirë i sivjetëm, mungesat e mëdha te Kosova në krahët e fushës, bënë të mundur ftesën nga Giresse.

Paraqitja ndaj Irlandës Veriore

Në stërvitjen e fundit të zhvilluar më 8 qershor, Giresse për befasi të shumëkujt e kishte vendosur si mbrojtës të majtë ta testonte Rrudhanin. Një rol që ai e kishte luajtur thuajse dy vite më parë, por që së voni nuk e mbulon më në ndeshjet në nivel klubesh.

Gazeta Nacionale merr vesh që kurreshtja fillestare e përzgjedhësit Giresse ishte ta shihte se deri në çfarë mase mund të jetë adekuat Rrudhani kur Kosova do të detyrohej të mbrohej, sepse aftësitë e tij sulmuese nuk është se viheshin në diskutim.

Gjithmonë sipas burimeve të gazetës, koncentrimi ka qenë i madh që të testohej linja defanzive nga ndërprerjet, pjesë e së cilës do të ishte edhe Rrudhani. Indikacionet që janë marrë kanë qenë aq premtuese, saqë më s'ka pasur vend për hamendësime të tjera. Rrudhani e fitoi pa telashe balotazhin ndaj Kolollit, i cili vuan nga përgatitja e duhur fizike për dallim nga vite më parë.

Rrudhani hyri në lojë me vetëbesimin e duhur, i vetëdijshëm për potencialin e vet dhe atë që mund të ofronte, pa ia pasur frikën një presioni të lartë që di të transmetohet nga opinioni dhe tifozët kosovarë.

Në tërë ndeshjen ai e humbi vetëm një top, ndërsa i rekuperoi plot shtatë sosh. Frika e vetme ishte nëse ai do të mund t'u rezistonte dueleve fizike ndaj lojtarëve të një kombëtareje si ajo e Irlandës Veriore që karakterizohen për atë stil futbolli. Mirëpo, edhe këtu i dha përgjigjet në fushë, duke demantuar çdo skepticizëm. Ai fitoi thuajse 3/4-at e dueleve dhe ishte një hap para kundërshtarëve me topin në pronësi, si dhe në lexim të situatave që krijoheshin gjatë ndeshjes.

Edhe pse akoma nuk e ka krijuar kiminë e duhur me lojtarët në sulm, për t'i bërë daljet e shpejta dhe sa më efikase me trekëndëshe dhe pasime të shpejta, ai ndihmoi shumë në këtë pikë. Sa herë që Rrudhani ka dalë në gjysmëfushën kundërshtare dhe i është orvatur ndonjë lojtari rival për t'ia rrëmbyer topin në duele, ka dalë plotësisht fitimitar, duke mos dalë asnjëherë huq.

Nëse në stërvitje kurreshtja e stafit teknik ishte të testoheshin situatat nga ndërprerja për mbrojtësit, të vetëdijshëm që çdo ndërperje për kundërshtarët do të merrte formën e një këndoreje, Rrudhani në ndeshje doli jashtë pritshmërive të të gjithëve. Ai kishte një mesatare ku fitonte katër nga pesë shkëputjet me kokë që i bënte.

Një prej gabimeve që mund t'i faturohet, është te rasti i golit të parë të pranuar në minutën e 44-t, kur nuk ia doli ta bllokojë harkimin e Spencer, i cili më vonë rezultoi me përfundimin e aksionit në mënyrë të suksesshme nga Lavery. Por, aty faji dhe fajtorët kryesorë mund të radhiten të tjerët para tij. Gjithsesi, kjo sa për të thënë që nëse në mënyrë mikroskopike do të mundoheshim t'ia gjenim një të metë, do të ishte ai aksion.

Pjesa tjetër ishte në kufijtë e perfeksionit. Që prej ndeshjeve të luajtura në atë krah të mbrojtjes me Kolollin në elementin më të mirë, respektivisht periudha 2018-2019, sytë e tifozëve në 'Fadil Vokrri' nuk kishin parë ndonjë lojtar më dinamik dhe elegant në fazë sulmuese, në avancim me topin. Aliti, Hadërgjonaj, Kastrati dhe Vojvoda që luajtën në atë krah duke u alternuar viteve të fundit, nuk e kanë të njëjtin hap me topin në driblime sikur Rrudhani, pasi ky i fundit ndihmohet nga fakti që natyrshëm është lojtar i krahut të mesfushës.

Kësisoj, ai ishte i pandalshëm në vrapimet e tij sulmuese, duke u shkuar driblimeve deri në fund, pa pengesa, duke marrë ovacionet e shumta nga publiku i pranishëm.

Pas 75 mintuave lojë në fushë, u zëvendësua për arsye që të mos rrezikonte ndonjë lëndim, ngaqë nga intensiteti i lojës dhe faulleve që pranoi, pati rreth minutës së 70-të një tërheqje muskulare.

Nga halli dhe jo qejfi, Kosova detyrohej para disa vitesh të luante me Kolollin në krahun e majtë të mbrojtjes, meqë Paqarada kishte vuajtur shumë në mbulimin e anësorëve sulmues gjatë fushatës kualifikuese për Botërorin 2018, si dhe në sulm nuk kishte qenë produktiv aq sa duhet. E njëjta situatë do të mund të përsëritet edhe në rastin e Rrudhanit, i cili përfitoi nga një gjendje alarmante te Kosova, me pezullime lojtarësh, mungesa për arsye private, mungesa për shkaqe të lëndimit, e të tjera.

Edhe pse akoma është herët për të nxjerrë përfundime, meqë me një paraqitje zyrtare në kombëtare është vështirë të arrihet deri në atë pikë, prapëseprapë diçka është e sigurt: Rrudhani do të jetë pjesë e listës së Kosovës edhe për ndeshjet e ardhshme dhe pas paraqitjes së mbrëmshme e ka futur veten në listën e lojtarëve që konkurrojnë për një vend titullari, pavarësisht rrethanave me mungesa apo jo.

Lajme të ngjashme