Menaxheri i Vëllaznimit, Gojani: Lorik Cana gjithmonë është pranë nesh, jemi afër marrëveshjes me Samuel Nikaj - NACIONALE

Menaxheri i Vëllaznimit, Gojani: Lorik Cana gjithmonë është pranë nesh, jemi afër marrëveshjes me Samuel Nikaj

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Legjenda e përfaqësueses së Shqipërisë, Lorik Cana vazhdon të qëndrojë prapa klubit gjakovar KF Vëllaznimi, të cilët janë në negociata edhe me trajnerin Samuel Nikaj, kështu deklaroi për Gazetën Nacionale menaxheri i klubit, Besnik Gojani.

Ditën e diele "Dueli Sportiv" raportoi se Cana do ta rindërtojë skuadrën kosovare, derisa edhe postin do t’ia besojë Nikaj, i cili së fundmi ishte pjesë e Vushtrrisë.

Vëllaznimi pas një kohe të gjatë është duke synuar që të rikthehet në elitën e futbollit kosovar, e vitin e kaluar përfundoi si pozitë e tretë në Ligën e Parë (grupi A).

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Gojani tregoi se si Cana gjithmonë ka qëndruar prapa Vëllaznimit, derisa zbuloi se kanë kaluar një krizë të madhe financiare dhe janë duke shpresuar që klubi të privatizohet – gjë që do të merr kohë.

Lorik Cana gjithmonë ka qenë pranë klubit Vëllaznimi, edhe këto vitet që kemi qenë vetëm na ka ndihmuar që të mbijetojmë, e njëjta vazhdon - pra në momentet kur ka kriza provon me na ndihmu, si privatisht, gjithashtu mundohet të na sigurojë sponsor ose në natyra të ndryshme. Ne si klub e kemi kaluar një krizë kogjo të gjatë financiare, me shpresën që gradualisht të bëhet mirë dhe të ecim hapave të rrugës së privatizimit, mirëpo kjo është një rrugë që do të merr kohë, mirëpo modelimi është i mirë - do të nisim prej akademisë te ekipi i parë. Për momentin jemi në fazë të tranzicionit, presim një zgjidhje afatgjatë mirëpo le me kuptu që nuk do të jetë e shpejtë dhe e ngutshme".

I pyetur nëse Cana do të marrë drejtimin e klubit, ose së paku të jetë pjesë e bordit drejtues, Gojani nënvizoi se pavarësisht kush e merr klubin, ish kapiteni i “Kuq e Zinjve” do jetë gjithmonë prapa.

"Loriki në çdo moment është pjesë e klubit Vëllzanimi, pavarësisht se qysh ecën klubi, ai do të qëndrojë klubit afër çdo herë dhe edhe në rast që e privatizon dikush që nuk ka të bëjë me Lorikun, ai prapë do të qëndrojë prapa klubit. Pra, kemi një shtyrë - kemi një ndihmë të madhe që çdo klub do ta kishte dashur. Janë disa projekte që do t'ia lëmë kohës t'i tregojë", vazhdoi ai.

Në raportimet e sotme, gjithashtu u përflit që trajneri Samuel Nikaj mund të marrë drejtimin e klubit të Vëllaznimit, gjë të cilën e konfirmoi Gokaj. Ky i fundit deklaroi se marrëveshja është pranë, por që fillimisht duhet t’i kryejnë disa borxhe ndaj futbollistëve.

"Të themi të drejtën ka tre vite që kemi insistuar, kemi dëshirën që Samueli të jetë pjesë e jona edhe jemi në bisedime të them të drejtën. Samuelin e kemi mik, ka mentalitetin e Gjakovës, kështu që jemi afër marrëveshjes, por ende s'ka asgjë konkrete. Në radhë të parë duhet të përmbyll obligimet ndaj futbollistëve për sezonin që shkojë. Ta kryejmë këtë pastaj do të shohim", përfundoi ai për Nacionalen.

Vitin që lamë pas, KF Vëllaznimi në Ligën e Parë (grupi A), u rendit e treta në tabelë me 38 pikë, 20 më pak se lideri Trepça ‘89, ndërsa tetë prapa Lirisë së Prizrenit, skuadër që garoi në “barazh” – por u mposht nga Vushtrria.

Lajme të ngjashme