Londra është e bardhë! Tottenham i jep leksion Arsenalit dhe e bën më interesante garën për top katërshe - NACIONALE

Londra është e bardhë! Tottenham i jep leksion Arsenalit dhe e bën më interesante garën për top katërshe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tottenham ka shënuar fitore të thellë në derbin londinez ndaj Arsenalit, duke lënë gjithçka të hapur për top katërshe, me dy xhiro të mbetura para përfundimit të kampionatit në Premierligë.

Spurs triumfuan me rezultat bindës 3:0 ndaj "Topçinjve", në kryederbin e ditës së enjte, në kuadër të xhiros së 22-të që ishte shtyrë atë kohë shkaku i rasteve pozitive me COVID-19.

Tottenham ishte skuadër më e mirë nga minuta e parë dhe me plotë meritë arkëtoi pikët e plota.

Harry Kane kaloi Tottenhamin në epërsi pas 22 minutave lojë duke shënuar nga pika e bardhë, pasi Tierney bëri një ndërhyrje të rrezikshme brenda zonës dhe arbitri akordoi 11-metërsh.

Nga pika e bardhë, anglezi ishte shumë i saktë duke mos i dhënë asnjë shans Ramsdale dhe kaluar vendasit në avantazh.

Pas golit të pësuar, Arsenal nisi të shtojë presionin, mirëpo situata u vështirësua kur Rob Holding bëri një ndërhyrje të panevojshme te Son, duke e goditur me bërryl dhe arbitri i ndëshkoi me karton të kuq, pasi vecse ishte ndëshkuar një herë (33').

Me një lojtar më shumë në fushë, Tottenhamit i konvenoi situata duke gjetur golin e dytë, vetëm tre minuta më vonë, me Harry Kane që realizoi nga afërsia me kokë pas goditjes së Bentacur (37'), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.

Edhe në pjesën e dytë, Tottenham e nisi më mirë duke gjetur golin pas vetëm dy minutave me Heung-Min Son që shënoi nga afërsia pas një topi të kthyer (47').

Tutje, dy skuadrat londineze kishin edhe disa raste të tjera shënimi, mirëpo u mungoi finalizimi i tyre, kësisoj rezultati i këtij takimi mbeti 3:0.

Pas kësaj fitore të thellë, ringjallët gara për top katërshe, me Tottenham që mbledh 65 pikë në pozitën e pestë, derisa Arsenal mban pozitën e katërt me 66 sosh.

Dy ndeshjet e radhës do jenë vendimtare që të vulosin pozitën e katërt për këtë edicion, me Spurs që do kenë punë ndaj Burnley dhe pastaj Norwich Cityn e Milot Rashicës.

Kurse, Arsenal ka dy sfida tjera më të vështira, si mysafir i Newcastle Unitedit dhe pastaj do e pres Evertonin në "Emirates Stadium".

Lajme të ngjashme