Kërkon falje dhe i fshin postimet homofobike bashkëlojtari i futbollist 17-vjeçar që u deklarua homoseksual - NACIONALE

Kërkon falje dhe i fshin postimet homofobike bashkëlojtari i futbollist 17-vjeçar që u deklarua homoseksual

1 vit më parë

nga NACIONALE

Marvin Ekpiteta ka kërkuar falje dhe i ka fshirë një varg postimesh homofobike në rrjetet sociale, menjëherë pasi bashkëlojtari i tij në Blackpool, Jake Daniels, u deklarua haptazi si homoseksual.

Mesfushori 17-vjeçar Daniels u fut në histori këtë javë, pasi u bë futbollisti i parë në Britaninë e Madhe që del publikisht dhe deklarohet se është homoseksual, që prej Justin Fashanu në vitin 1990.

Një varg i postimeve homofobike nga Ekpiteta që ishin publikuar mes viteve 2012 dhe 2013, dolën në sipërfaqe dje pas njoftimit të Daniels për orientimin e vet seksual.

Si pasojë, mbrojtësi ka kërkuar falje dhe i ka fshirë postimet homofobike.

Ekpiteta e ka pranuar se ndihet i turpëruar dhe është zotuar se do t’i ndihmojë Danielsit.

“Jam plotësisht përgjegjës për këto postime dhe më vjen keq. Dua të kërkoj falje me gjithë zemër për fyerjet dhe për gjuhën e papërshtatshme që e kam përdorur”, tha Ekpiteta.

Ai shtoi: “Ndihem i turpëruar për komentet që i bëra si 17-vjeçar, gati një dekadë më parë, të cilat nuk i pasqyrojnë në asnjë mënyrë vlerat dhe besimet e mia tani si person apo si bashkëlojtar”.

“Futbolli duhet të jetë vend ku të gjithë mund të ndihen të lirë të jenë vetvetja dhe ndihem i zemëruar që komentet që i kam bërë në të kaluarën sugjerojnë ndryshe”.

“Dje u ndjeva krenar për Jake dhe për të gjithë të tjerët në Blackpool për këtë çast pozitiv për futbollin si tërësi.”

Daniels e zbuloi orientimin e vet seksual në një deklaratë prekëse përmes uebsajtit të Blackpoolit.

Futbollisti adoleshent tregoi se si kishte ngurruar fillimisht për shfaqur publikisht identitetin e vet seksual, para se të shprehte dëshirë për t’u bërë shembull për gjeneratën e re të futbollistëve.

“Tërë jetën time e kam ditur që jam homoseksual dhe tani ndihem i gatshëm për të dalë publikisht dhe për të qenë vetja ime”, tha Daniels.

“Ka njerëz të cilët nuk ndihen rehatshëm për të zbuluar seksualitetin e vet. Unë dua t’iu them atyre se nuk kanë nevojë ta ndryshojnë veten, apo mënyrën se si duhet të jenë, thjesht për t’iu përshtatur të tjerëve. Të jesh vetja dhe të jesh i lumtur ka rëndësi më së shumti”.

Lajme të ngjashme