Kampionë në ditën e fundit: A do të përsëritet historia në Premierligë dhe Serie A? - NACIONALE

Kampionë në ditën e fundit: A do të përsëritet historia në Premierligë dhe Serie A?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Si rrallë herë, Premierliga dhe Serie A – dy prej ligave kryesore evropiane – do ta mësojnë kampionin e vet në ditën e fundit të sezonit. Herën e fundit kur një gjë e tillë kishte ndodhur në këto liga, ishte shkruar historia.

Manchester City dhe Milani do të futën në ditën e fundit të sezonit në Angli dhe Itali, përkatësisht, me përparësinë për t’u shpallur kampionë. Për skuadrën e Pep Guardiolës do të nënkuptonte titulli i dytë radhazi në Premierligë, e për kuqezinjtë e Stefano Piolit titulli i parë në Serie A pas plot 11 viteve.

Por të etur për ta shfrytëzuar çdo lëshim të mundshëm të tyre aty janë Liverpooli dhe Interi.

Dita e fundit e sezonit në Premierligë: Manchester City – Aston Villa, Liverpool – Wolves.

Por fillimisht, Liverpooli duhet ta mposhtë Southamptonin të martën për të mbajtur çfarëdo shprese për titull në ditën e fundit të sezonit.

City është lider me 90 pikë, dhe nëse Liverpooli e mund Southamptonin, atëherë do ta kishte vetëm një pikë më pak se City dhe ende në garë për titull.

Të dy ndeshjet do të luhen të dielën më 22 maj në orën e njëjtë, 17:00.

Villa dhe Wolves nuk do të ketë për çfarë të luftojnë në ditën e fundit të sezonit, pasi janë jashtë Evropës tashmë.

Megjithatë, Villa udhëhiqet nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, i cili – pasi ka dështuar ta fitojë titullin në Premierligë si futbollist i të kuqve, mund ta ndiejë nevojën për t’i bërë nder klubit të fëmijërisë.

Nëse City e mund Villën atëherë do ta fitojë titullin, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër Liverpool – Wolves.

Një barazim mes City dhe Villës dhe një fitore e Liverpoolit kundër Wolves do ta shpallte Liverpoolin kampion në ditën e fundit të sezonit.

Hera e fundit kur mrekullia ndodhi në ditën e fundit të sezonit në Premierligë ishte edicioni 2011/12, kur pikërisht Manchester City e mundi QPR-në 3:2 në kohën shtesë për ta fituar titullin e parë në Premierligë. Manchester Unitedi e kishte fituar ndeshjen e vet dhe po priste në një dështim të Cityt për t’u shpallur kampion. Ai sezonit ka mbetur në historinë e futbollit anglez si sezoni me përfundimin më drithërues.

Dita e fundit e sezonit në Serie A: Inter – Sampdoria, Sassuolo – Milan

Hera e fundit kur një ekip e humbi titullin nga dora në ditën e fundit të sezonit në Serie A ndodhi dy dekada më parë, në vitin 2002, dhe i kishte ndodhur pikërisht Interit.

Interi shpreson, megjithatë, se ketë herë do t’i buzëqeshë fati i mirë dhe se Sassuolo do t’i bëjë nder për t’ia mundësuar fitimin e titullit të dytë radhazi.

Por Sassuolo dhe Sampdoria nuk kanë për çfarë të luajnë më këtë sezon, pasi kjo e fundit e siguroi mbijetesën në fundjavë.

Ndeshjet Inter Sampdoria dhe Sassuolo Milan luhen të dielën më 22 maj në orën e njëjtë, 18:00.

Milani e ka përparësinë, sepse është lider me 83 pikë dhe barazimi me Sassuolon e papërshtatshme do t’i mjaftonte për t’u shpallur kampion edhe me pikë të barabarta me Interin.

Në Itali shikohen takimet kokë më kokë për të vendosur fituesin nëse dy ekipet e para kanë pikë të barabarta në tabelë në fund të sezonit. Milani e ka një fitore edhe një barazim në dy përballje me Interin këtë sezon.

E vetmja mënyrë që Interi të shpallet kampion është ta mposhtë Sampdorian dhe Sassuolo ta mundë Milanin.

Më 5 maj 2002, Interi kishte udhëtuar drejt kryeqytetit italian në ditën e fundit të sezonit, si lider i ligës por në një luftë të ashpër trifrontëshe për titull.

Pavarësisht se Roma ishte në garë për titull, rivali i përbetuar i Lazios, kjo e fundit e mundi 4:2 Interin dhe si pasojë Juventusi e fitoi titullin.

Lajme të ngjashme