Anglezi mitik që e ndryshoi futbollin spanjoll - NACIONALE

Anglezi mitik që e ndryshoi futbollin spanjoll

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë kaluar 100 vjet që kur shkeli për herë të parë në Bilbao, por kur përmendet emri i Fred Pentland, tifozët e Athletic Bilbaos do të ngrihen në këmbë dhe ta kujtojnë me dashuri legjendën angleze që ndryshoi futbollin spanjoll.

Legjenda angleze i njohur me nofkën ‘El Bombin’, nuk ishte trajneri i parë anglez që udhëhoqi skuadrën baske, por ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit duke qenë kyç në evolucionin e futbollit spanjoll.

Pentland, ishte trajner i Bilbaos në dy kohë. Herën e parë kur e udhëhoqi për tre vite (1922-1925) fitoi Kupën e Mbretit, e në kur u kthye sërish gjatë viteve 1929-1933 e fitoi katër herë rresht Kupën e Mbretit, dy LaLiga si dhe ia shkaktoi humbjen më të rëndë Barcelonës, me rezultat 12:1.

Skuadrat që i udhëhiqte legjenda angleze, luanin një futboll me filozofi sulmuese e bazuar në mbajtje të topit, e cila u adoptua shpejt në skuadrat tjera spanjolle dhe edhe në kohët e sotme mbijeton si stil loje.

“Fred Pentland është nga ata njerëz që i ka mbijetuar kohës”, thotë drejtori i muzeut të klubit bask, Asier Arrate.

Pentland, i lindur më 1883 në qytetin, Wolverhampton, filloi karrierën si futbollist në moshën 17-vjeçare dhe u paraqit për skuadrat e njohura si: Blackburn Rovers, Brentford, Queens Park Rangers e Middlesbrough si dhe përfaqësoi kombëtaren angleze.

Pas 14 viteve të luajtura futboll si sulmues i djathtë, ai u pensionua dhe filloi punën e trajnerit menjëherë, duke marrë nën udhëheqje ekipin olimpik gjerman në vitin 1914.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ai u internua në një kamp afër Berlinit, dhe aty organizonte turne futbolli me të burgosurit tjerë.

Pas mbarimit të luftës, fillimisht udhëhoqi skuadrën franceze, Strasbourg, e pastaj ekipin olimpik francez për Lojërat Olimpike të vitit 1920.

Eksperienca e parë në kampionatin spanjoll ishte me Racing Santander, por me sukseset e tija të njëpasnjëshme ra në sytë e Bilbaos të cilët u hodhën në sulm për ta marrë trajner në vitin 1922.

“Bilbao i bëri një ofertë të mirë. Ata dëshironin të investonin në një trajner të mirë. Atë kohë Bilbao ishte klub amator, prandaj po kërkonin një trajner të madh që ta rriste ekipin”, thotë Arrate.

Pentland ishte person i pasionuar pas detajeve të imta, ku disa histori tregojnë se ai në seancën e parë stërvitore iu tregonte futbollistëve se si t’i lidhnin këpucët.

“Ishte person që kishte përballuar luftën, kur erdhi në Bilbao pati një ndjeshmëri aq të butë njerëzore, saqë ka mbetur ende në memorien e njerëzve”, shton drejtori i muzeut.

Loja e Pentland ishte e karakterizuar me pasime të shumta e me aksione sulmuese gjatë tërë kohës, stil loje që krahasohet me atë të Pep Guardiolës.

“Ai luante me një formacion unik, 2-3-5. Ai e preferonte lojën me pasime të shkurta, prandaj e futi shumë futbollistë në mesfushë e sulm, stil pak a shumë i njëjtë me Tiki-Takan e famshme të Barcelonës. Ai na ndihmoi të besonim në fitore, e forcoi mentalitetin fitues të skuadrës”, thotë Gaizka Atxa, kryetari i grupit të tifozëve ‘Mr Pentland Club’, grup i tifozëve të Bilbaos me qëndrim në Londër.

Fred Pentland, vdiq në vitin 1962 në moshën 78-vjeçare, por ende mbahet në mend në Bilbao.

Nga njerëzit që e kujtojnë, ai ishte një stereotip anglez, me kapelë në formë ombrelle dhe puro.

Pentland, ruajti statutin e një legjende në Spanjë për evolucionin në futboll, por edhe për njeriun e thjeshtë që ishte.

“Nëse tifozët e shihnin në rrugë, ai u ndalte duke u përshëndetur. Ishte person shumë i afrueshëm”, tha për fund, Gaizka Atxa.

Lajme të ngjashme