500 mijë euro: Raportohet se Gianni De Biasi lypi kaq para për drejtimin e Flamurtarit
Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht prapaskenat që lidhen me negociatat mes Gianni De Biasit dhe drejtuesve të Flamurtarit.
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare është kontaktuar përmes ndërmjetësimit të drejtorit të Milanit, Igli Tare, me një ofertë konkrete nga Sinan Idrizi. Por italiani ka befasuar me kërkesën e tij financiare – plot 500 mijë euro në sezon, çka përkthehet në mbi 40 mijë euro në muaj.
Megjithatë, kjo kërkesë nuk është refuzuar menjëherë nga Idrizi. Ai ka zhvilluar një takim me këshilltarët e tij për të diskutuar mundësinë e afrimit të De Biasit në krye të skuadrës, duke e konsideruar si një hap të madh për ndërtimin e një ekipi të nivelit të lartë në Superiore.
Por këshilltarët nuk janë treguar entuziastë, duke e cilësuar kërkesën financiare si të ekzagjeruar, pavarësisht gatishmërisë së Idrizit për të bërë sakrifica të mëdha në funksion të objektivave madhore.
Gjithsesi, shpresa ende nuk është shuar. Sipas burimeve, Igli Tare ka kërkuar pak kohë shtesë për të negociuar një ulje të shifrës me De Biasin.
Ndërkohë, sa i përket alternativave të tjera, më afër stolit të Flamurtarit është Shpëtim Duro. 65-vjeçari, i cili e ka drejtuar skuadrën vlonjate gjatë sezonit 2016-2017, mund të rikthehet në Vlorë pas plot tetë vitesh.
Në sfond janë zbehur gjasat për emra si Gentjan Mezani, Qatip Osmani dhe Sedat Pajaziti, ndërsa më të largët duken trajnerë të huaj si Zoran Zekiç, Christian Brocchi dhe Massimo Oddo, ndonëse të gjithë mbeten pjesë e listës që po shqyrtohet.
Kjo është hera e parë që Flamurtari përballet me kaq shumë kandidatë për pankinën, çka tregon qartë përkushtimin e drejtuesve për të bërë zgjedhjen e duhur në prag të sezonit të ri.