‘U tutsha se do t'ma përdhunonin nënën në sy’, mërgimtari nga Gllareva tregon tmerrin që përjetoi në veri gjatë tensioneve - NACIONALE

‘U tutsha se do t'ma përdhunonin nënën në sy’, mërgimtari nga Gllareva tregon tmerrin që përjetoi në veri gjatë tensioneve

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Armend Morinës, 21-vjeçar, po i silleshin mendime se do ta shihte nënën duke iu përdhunuar nga rebelë serbë në veri dhe ai vetë do të mbeste pa kokë në trup, kur veturën e tij e rrethuan në natën e 31 korrikut persona të armatosur në pjesët me shumicë serbe.

Një udhëtim i thjeshtë drejt Novi Pazarit, për ta u shndërrua në makth të vërtetë, ku përfshiheshin pikëpyetjet e njëmendta ekzistenciale, si rezultat i një vendimi të qeverisë për të mos njohur targat serbe në territorin kosovar.

"Grupën e parë kur e kom pa, jon' konë të maskumë, edhe krejt jon' konë me armë të tipit kallash."

"Unë e provojsha me thirrë policinë, po nuk kish' valë Ipko aty. Tha mami, 'i tutim', ishalla s'bojnë kurrgjo."

E ata ken' krejt të armatosur...

"Krejt të armatosur të tipit kallash.”

E maska?

"Me maska, me helmetë, plus e kishin pasë antiplumbin. Taman si ushtarë, uniformë s'kanë pasë, jon' konë me trenerka.”

Krejt kjo ngjarje ndodhi në Zveçan, ku 50 persona të armatosur, Morina thotë se e urdhëruan ta ndërrojë trakën, para se të futeshin në mal, për t’i mundësuar atij vazhdimin e rrugës.

“Ma s’ka pasë asni njeri, as s’ka pasë kerr që shkojke, as s’ka pasë që vjen”, përshkruan ai pjesën e rrugës përtej Zveçanit natën e 31 korrikut, rreth orës 18:00, kur territoret me shumicë serbe u shndërruan në zona jashtëzakonisht të rrezikshme, pas vendimit të qeverisë për mosnjohjen e targave të Serbisë në territorin e Kosovës, vendim i cili pritej të futej në fuqi po atë mesnatë.

Nën ethet e fatit të vënë në një pikëpyetje ekzistenciale, Armendi 21-vjeçar dhe nëna e tij, Sebahatja, 51-vjeçare, u përballën me sfidën më të madhe të rrugës, e cila arriti kulmin e rrezikshmërisë.

“Një kilometër para se me hi në kufi, në Jarinjë, një kilometër… ma shumë se 200 persona të maskumë jon konë.”

Në pjesën e djathtë të rrugës, pjesëtarë të strukturave paralele serbe ishin të stacionuar në një kioskë, ku armatoseshin me armatim të rëndë, derisa Armendi me nënën po e shihnin direkt grupin në fazat fillestare të operimit.

“U konë një trafikë në anën e djathtë. Një trafikë e vjetër… qaty hishin domethënë personat, e qitshin helmetën, pancirin, edhe kallashin.”

Në atë moment, Armendi e kuptoi se nuk ishte ditë për Pazarin e Ri (Novi Pazar), derisa vendosën të kthehen nga kishin ardhur.

“Tamon kom mbërri apet në Zveçan… e kom pa krejt, krejt të armatosur, në rrugë jon' konë. Krejt me maska jon' konë.

Ma kanë nalë kerrin… nuk i njofsha une, nuk i njofsha se krejt me maska.

Ia kanë nisë me i mëshu kerrit, edhe ma bojshin ‘majmun’."

Tutje, Armendi me nënën e tij, u urdhëruan nga rebelët serbë të merrnin një rrugë, e cila i dërgoi në veri të Mitrovicës, derisa pjesa që dërgon në jug ishte bllokuar nga barrikadat.

E aty, Armendi me të ëmën përjetuan tmerrin e vërtetë.

“Ma kanë rretheku krejt kerrin, edhe kanë ardhë në anën e djathtë nga mami jem, në anën e majtë nga ana jem, edhe ma kanë rretheku kerrin me kallasha. Nuk m’lejshin me lëvizë.

Kishe nuk guxon ti me ardhë knena.”

Pasi nëna e Armendit njeh gjuhën serbe, e përdori atë për t’u nxjerrë nga situata, derisa pas një pyetjeje “nga është rruga për Prishtinë?”, ata u rekomanduan të merrnin një rrugë tjetër, të ngushtë, para se të takonin në kryqin e Kosovës të stacionuar Policinë e Kosovës, nga e cila u pyetën rreth lokacioneve të barrikadave serbe.

Tutje, Armendi tregoi rreth mendimeve që po i vinin në kokë derisa po urdhërohej të qëndronte gatitur nën nishanin e kallashnikovit dhe zhurmës shurdhuese të shok-bombës, me të cilat po sulmohej vetura e tyre e palëvizshme në ato momente.

“U tutsha se po e nxerrin, e po ma përdhunojnë nanën para syve, e mami jem u tutke se m’nxerrin mu e qaty për qaty, fjalët e sajna janë, ia hjekin krytë djalit tem.”

Armendi është i bindur se target e veturës në të cilën gjendeshin, e që ishin të Zvicrës, dhe njohja e gjuhës serbe nga nëna e tij, ia shpëtuan jetën.

“Une menoj që, numrat [targat] e Zvicrës, edhe mami jem që ka ditë serbisht, na kanë pshtu. Amo te kishin ditë që ajo është e Sanxhakut dhe unë… domethënë dytë s’jena shqiptarë, atëherë dytë ishim konë qaty t’dekt. Une jom 100% i sigurt. Se shikimi i tyre nuk ka qenë shikim i një njerit normal.

Kur ma kanë rretheku kerrin, edhe kur i kanë qitë kallashat, krejt t’zi jon konë, unë edhe nana jem s’kena me dalë prej këtuhit.”

Me të mbërritur në shtëpi, Armendi thotë se nëna, Sebahatja, u alivanos nga trauma dhe tash është nën medikamente dhe jo në gjendje për të folur rreth ngjarjes.

Lajme të ngjashme