Sot varrosen tre fëmijët që humbën jetën në Jabllanicë, kërkohet hetim urgjent për ngjarjen - NACIONALE

Sot varrosen tre fëmijët që humbën jetën në Jabllanicë, kërkohet hetim urgjent për ngjarjen

1 javë më parë

nga NACIONALE

Tre fëmijët që humbën jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanueshëm në Jabllanicë të Gjakovës, do të varrosen sot.

Kështu kanë bërë familjarët e tre viktimave, duke theksuar se dhimbja është e madhe.

Varrimi do të bëhet në orën 14:00.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për tragjedinë në Jabllanicë, ku humbën jetën tre fëmijë.

Një objekt i pabanueshëm u rrëzua duke iu shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Prokuroria ka bërë të ditur se me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast "Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm". Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar hetim të plot rreth kësaj ngjarje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se është vështirë të gjenden fjalët për ta lehtësuar dhimbjen e familjarëve.

“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!”, ka shkruar Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që institucionet të kryejnë hetime për këtë rast.

“Është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës. Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe!”, ka shkruar Konjufca.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për rastin.

“Dhembje e pafund për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. Në këto momente zie, jemi pranë familjeve të tyre me zemër e mendje, për të ndarë dhembjen e tyre të madhe. Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë!”, ka shkruar Krasniqi.

Telegram ngushëllimi ka shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës. Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe. Po ashtu lus që të gjitha organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie.”, ka shkruar Abdixhiku.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjet e viktimave.

“Me zemer të thyer te familjet që humbën më të dashurit e tyre në Jabllanicë. Ngushëllime, Zoti ju dhashtë forcë!”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të ngjashme