Shtëpia që nuk përfundoi: Kurti vendosi gurthemelin para një viti, Nacionale te axha Sherif - NACIONALE

Shtëpia që nuk përfundoi: Kurti vendosi gurthemelin para një viti, Nacionale te axha Sherif

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Ka një kritikë që veçohet më së shpeshti për Qeverinë Kurti: projektet që i nis, i lë në gjysmë. Përveç urës famoze të Staradranit, pothuajse asnjë projekt nuk ka mbetur në mbamendjen tonë, si projekt i përfunduar. Autostrada e Gjilanit? 160 çerdhe? Banesat e përballueshme për çiftet e reja? Fatin e 'një projekti të papërfunduar' e ka edhe një shtëpi në fshatin Muhoc.

**

Më 3 qershor 2023, kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, do të merrnin pjesë në vendosjen e gurthemelit të një shtëpie për familjen gorane 11 anëtarëshe në fshatin Muhoc të Ferizajt.

E gëzofshi e ju priftë e mbara. Ju dëshiroj suksese në të ardhmen”. Kështu do të deklaronte kryeministri Albin Kurti para një viti derisa vendosi gurthemelin e shtëpisë së re për familjen gorane 11 anëtarëshe, me kryefamiljar, Sherif Alinë.

[Foto: Kryeministri Kurti dhe ministri Rashiq në vënien e gurthemelit të shtëpisë, qershor 2023]

Kurti në vënien e këtij gurthemeli, do të vlerësonte edhe familjen Alija ‘për kontributin që vazhdonte ta jepte për vendin’ e po ashtu, edhe ministrin Nenad Rashiq.

[Foto: Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq bashkë me Sherif Alinë, qershor 2023]

Një vit më vonë, Nacionale ka vizituar z.Sherif Alija, kryefemiljar. Shtëpia nuk ka përfunduar dhe axha Sherif, rrëfen mes lotësh gjendjen e rëndë të familjes.

Dhe një vit më vonë, shtëpia duket si në pamjet (foto dhe video) më poshtë.

Mas lufte kam punu 10 vjet te shkolla Gjon Sereçi, kam shitë ‘sakëza’ çokollata. E ma dha zoti një kioskë, 12 vjet kam majtë kioskë te stacioni i trenit në Ferizaj. Mas njo ni viti m’ka dhanë komuna te shkolla. Dikur ma hoqi atë, e kemi biznes që e kemi majtë familjen", rrëfen axha Sherif.

U kanë në ankand e nuk kam marrë pjesë. Tash jam me shoqen nëpër kontejnera me mbledhë kanaçe, për me mbajtë familjen. Jemi kanë 11 anëtarë. E kemi një ‘sobë’ dhe një kuzhinë”, thotë kryefamiljari Sherif Alija.

Shtëpia ka nis, kur kam pasë biznes i kam ble 5 ari vend në Mohovc. Kam jetu si krejt qytetarët, kam punu 24 orë, punë kam pasë mirë, jetën e kam pasë mirë. A qetash për shembull. Një vit e gjysmë ka nis Albin Kurti, ma dha mundësinë që me e nis shtëpinë, mos me kanë kallaballak këtu ngushtë, po shpia nuk u kry. U kry deri në kulm, mandej nuk ka kurrgjë brenda”, rrëfen ai.

So tuj punu kurrkush, puna u ndalë qe 1 vit, kur kam shku me vetë më ka thanë, çka ka pasë atë donatori, ka kalu afati, derisa ta gjejmë n donator tjetër, e jemi tuj pritë, nashta na bojnë”, rrëfen ai.

Derisa ka nis shtëpia, janë ardhë prej Fushë Kosovës, me na pa, me na vizitu që u nis shpia, deri atëherë kur ka mbërri deri te kulmi. Kurti na ka dhanë fjalë me hi. Afat nuk na kanë dhanë, po tha veç ishalla jemi shnosh e rahat, kur të kryhet puna, me ta bo përhajër”, thotë ai.

(Jo), prej atëherë nuk u kanë kurrkush.

Ma rand, kur kam nis fillimi, me mbledhë limenka, prapë për mu nuk u kanë vështirë po u kanë vështirë për shoqen (gruan v.j). Me lanë gruan nëpër konejnerë, shumë bre. Biznes te treni, me ra n’kolicë, po nashta më pranon Agimi, me shku te ai”, rrëfen mes lotësh axha Sherif.

[Foto: Sherif Alia/ Nacionale/ Visar Kadrolli ]

‘Populli po na ndihmon, faleminiderit popullit’

100 euro i kam pension, ujin po e paguajmë. Po rrimë me social, rrymën, bërlookun krejt. Populli po na ndihmon, faleminderit, cdokush që më ka ‘zatetë’ nëpër qytet, axho pije ni sok. Kush ka qebaptore, më kanë dhënë bukë pa pare. Populli shumë po më ndihmon se veç me limenka”, thotë ai.

Nacionale ka biseduar me koordinatorin për çështje sociale në komunën e Ferizajt, Agon Zhinipotoku.

Thotë se këtë familje, e kishin vizituar më herët, por më pas, patën kuptuar se rastin e kishte marrë në dorë Ministria për Kthim dhe Komunitete.

“Na i kemi thanë që kemi me ta ndërtu një shtëpi, po mandej kemi marrë vesh që Ministria e ka një projekt, por na nuk po dojmë dimri me e nxanë kështu”, thotë ai.

Por shton, se komuna nuk do ta lë këtë familje, për ta pritur dimrin në këtë gjendje.

“Këtu janë dy familje, nuk është problem e marrim komplet dhe mundemi me kry shumë shpejt. Tash është sezona e pushimeve, por besoj se mundemi me kry deri në tetor. Nuk ka problem, por na nuk po dojmë me kanë qishtu mo”, thotë ai.

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, znj.Duda Balje, i tha Nacionales së ‘kur ka filluar ndërtimi i shtëpisë’ ka besuar se ‘tashmë ajo veç ishte përfunduar’.

“Kur kanë fillu me ndërtimin e shtëpisë, mendova se kanë përfundu me shtëpinë dhe nuk e kam ditë që është qishtu në gjysmë. Por unë e caktova këtë javë, të mërkurën, edhe kam me shfrytëzu momentin me marrë informata edhe për këtë”, tha znj.Balje.

[Foto: qershor 2023]

Nacionale ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin për Kthim dhe Komunitete, z.Nenad Rashiq, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli & video-stories, ai ka qenë i paqasshëm.

Lajme të ngjashme