Qyteti i mistershëm, 30 metra nën tokë - NACIONALE

Qyteti i mistershëm, 30 metra nën tokë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Në vendin e quajtur "Lugu i Keq" ndodhet njëra nga hyrjet për në qytetin nëntokësor të Kukësit.

Nuk ekziston asnjë shenjë që e tregon rrugën për të hyrë brenda.

Udhërrëfyes i kishim projektuesit e këtij qyteti nëntokësor, Feti Gjicin dhe Afrim Cenajn, të cilët për shumë vjet kanë jetuar në afërsi të këtij tuneli.

Inxhinieri Feti Gjici – tash 74-vjeçar – rrëfen për Nacionalen se gjithçka nisi në fillim të viteve të 70-a.

Ai kishte për detyrë të ndërtonte një kopje nëntokësore të Kukësit 30 metra nën qytetin më të afërt me Kosovën.

"Strehimi i popullatës është parashikuar për rreth 10 mijë banorë. Sigurisht, faza e parë ishte strehimi momental i të gjithë banorëve, pastaj sistemimi adekuat për një kohë më të gjatë (deri në 6 muaj)", thotë Gjici.

Siaps tij, hapësira ka qenë e parashikuar për çdo lloj bombardimi, qoftë edhe bërthamor.

"Këtu janë parashikuar dhe ndërtuar të gjitha strukturat e nevojshme për një banim të përkohshëm ose më të gjatë. Ka qenë e pajisur me spital, është ndërtuar spitali, fabrika e bukës, fabrika e miellit, banka, shtypshkronja”, thotë ai.

Më pas u shtuan rrjetet e energjisë elektrike dhe ujit.

Po ashtu, duhej të kishte një qendër komande të ushtrisë, një pikë policie dhe një sallë gjyqi.

Sa më pak njerëz që dinin, aq më mirë”, rrëfen Gjici dhe tregon se gruaja e tij ishte qartazi në dijeni se ai po punonte në një projekt nëntokësor për shumë vjet, por ajo kurrë nuk kërkonte hollësi.

"Duhet të ishte sekret, sepse ishte objekt ushtarak dhe objektet ushtarake gjithmonë kanë qenë sekrete", rrëfen Gjici.

Gjatë viteve të 80-a, autoritetet kryen stërvitje të rregullta: kur tingëllonte sirena, e gjithë popullata e Kukësit mund të zbriste nën tokë për shtatë minuta, përmes 30 hyrjeve në rrjet.

Tash, këto hyrje janë të bllokuara dhe nuk mund të futesh nga qyteti i Kukësit.

Thirrja për turistët e huaj

Megjithatë, turistë nga vende të ndryshme kanë filluar që ta vizitojnë këtë tunel.

"Janë bërë shumë njerëz kureshtarë dhe kanë ardhur, e kanë parë, kanë ardhur prej Gjermanisë, Zvicrës, prej Izraelit, dhe unë shpeshherë jam munduar, me ato njohuritë e mia, që t’u tregoj se si ka qenë historia e këtij objekti", thotë Cenaj.

Afrim Cenaj tregon për Nacionalen se, në kohën e diktaturës, nuk kanë pasur informacion se ka ekzistuar një strukturë e tillë nëntokësore.

"Në momentin kur u prish (sistemi komunist) në vitet e 90-a, ne e kishim plakun (babanë) oficer dhe këto pronat këtu janë tonat dhe ne e ruajtëm këtë vend", tregon Cenaj.

Feti Gjici dhe Afrim Cenaj shpresojnë që në të ardhmen të shndërrohet në muze dhe ta hapin për vizitorë.

Lajme të ngjashme