Plagosje, të shtëna, paralajmërime: Historia e konfliktit mes dy familjeve në Prishtinë para tragjedisë së mbrëmshme - NACIONALE

Plagosje, të shtëna, paralajmërime: Historia e konfliktit mes dy familjeve në Prishtinë para tragjedisë së mbrëmshme

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dy familje të njohura në Prishtinë, Capat dhe Sekiraqët u përfshin në të shtëna me armë zjarri natën e kaluar në Prishtinë.

Si pasojë, mbetën të plagosur 5 persona e u vra një.

Megjithatë, historia e këtij konflikti ka nisur muaj përpara.

Në mars viti, një anëtar nga familja Capat, Pajtim Gashi u rrah e u plagos nga një anëtar i familjes Sekiraqa.

Pesë gëzhoja ishin gjetur në vendin e ngjarjes, kurse të dyshuarit ishin arratisur.

Më vonë, u kuptua se të dyshuarit ishin nga familja e Sekiraqëve.

“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, njoftonte aso kohe Policia e Kosovës.

Po atë natë, në mbrëmje, afër shtëpisë së Salih Sekiraqës, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Kjo si përgjigje ndaj plagosjes që ndodhi paraditen e 5 marsit.

Familja Capat në atë kohë kishte dalur me një reagim për media.

“Këtë moment të rëndë të cilin e kaluam si pasojë e një sulmi tentim vrasje ndaj pjesëtarit të familjes Gashi në vendin e punës, ku si një familje e ndershme gjithmonë jemi munduar ti shërbejmë ndershëm shtetit duke punësuar dhe mbajtur qindra familje, dhe duke paguar qindra taksa shtetit tonë. Ky sulm ndaj familjes tonë ka rrjedhur pa asnjë arsye dhe asnjë konflikt të mëhershëm”.

Familja Gashi tutje në reagim njoftojnë se gjendja shëndetësore e Pajtimit është e mirë.

Ata presin reagim nga institucionet e sigurisë dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

“Po ashtu marrë parasysh se jemi një familje e respektuar e kryeqytetit dhe një familje biznesmenësh të suksesshëm ju lutem të mos na perzieni me kriminelët të cilës tentuan ta njollosin reputacionin tonë dhe të lëndojnë një anëtarë të familjes vetëm për të qenë pjesë e shkrimeve të mediave”, thuhej aty.

Ajo që nisi në muajin mars, përfundoi mbrëmë me 5 të plagosur e një të vrarë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen me armë zjarri të dielën mbrëma në lagjen Aktash në Prishtinë. Policia ka konfirmuar se një burrë ka vdekur në vendin e ngjarjes. Nacionale ka qënduar mbrëmë në vendin e ngjarjes dhe në QKUK, ku po trajtohen të plagosurit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një burrë ka vdekur në vendin e ngjarjes nga përpalasja me armë zjarri mes dy grupeve në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.

Sipas policisë, të lënduar nga ky rast kanë mbetur 5 persona të cilët po trajtohen në QKUK dhe janë nën masën e arrestit dhe në mbikëqyrje të policisë.

“VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

“Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.” – thuhet tutje.

Ndërkohë, Nacionale ka qëndruar në vendin e ngjarjes të dielën mbrëma.

Në gjuajtjen me armë që ndodhi në lagjen “Aktash” në Prishtinë, janë përfshirë familja Gashi (të njohur ndryshe si ‘Capat’) dhe familja Sekiraqa.

Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi, janë personat e plagosur, sipas Sinjalit. Sipas mediumit, Sekirqara dyshohet se ka marrë plagë në këmbë.

Të shtënat dyshohet se kanë qenë pasojë e konfliktit midis familjeve Sekiraqa dhe Capat, në dritën e një incidenti të mëparshëm që përfshinte një të plagosur nga familja Capat disa muaj më parë.

Lajme të ngjashme