Një punishte që po e shqetëson një lagje – shumë banorë të Prishtinës ankohen në komunë
Dhjetëra banorë të rrugës “Zagrebi” në Prishtinë, e kanë një shqetësim të përbashkët. Zhurma, ndotja, e mbeturina që shkaktohen nga një operator ekonomik që ka hapësirën punuese në këtë lagje. Fjala është për një qendër të grumbullimit të mbeturinave metalike.
Edhe dita e diel në të cilën duan të pushojnë, disa dhjetëra banorëve të Prishtinës po iu bëhet e pamundur. Kjo pasi skaj rrugës kryesore, gjendet një fabrikë për grumbullimin e mbeturinave metalike. Kjo hapësirë për të cilën banorët thonë se nuk dihet as pronësia e as leja e komunës, po ua vështirëson jetën.
Disa banorë në kushte anonimiteti janë ankuar në gazetën Nacionale, në lidhje me zhurmat, dëmet, e problemet që i kanë në lagjen e tyre. Kjo pasi ata kanë thënë, se ankesat në komunën e Prishtinës deri më tash nuk janë marrë parasysh.
Në një prej letrave që banorët ia kanë dërguar komunës, specifikohen problemet që po iu shkaktohen këtyre qytetarëve nga një fabrikë e vetme. Në një prej ankesave të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se zhurmat si rezultat i punës me metale, e bëjnë të pamundur jetën për banorët.
“Kërkojmë që urgjentisht ta largoni grumbulluesin e mbetjeve metalike sepse: Krijon një tmerr të padurueshem akustik: Rrezikon shëndetin e banorëve nga lirimi i grimcave të mbeturinave te metaleve, te cilat mund të jenë shumë kancerogjene aq më tepër kur mund të jenë edhe metale të ndaluara Kundërmimi i shkaktuar në mungese të ujësjellësit dhe kanalizimit në object”, thuhet në një ankesë të banorëve.
Në këtë ankesë, banorët shfaqin dilema edhe për pajisjen me leje të këtij biznesi nga komuna, pronësinë dhe synimet që në të ardhmen banorëve t’iu bëhet presion për të lejuar ndërtimin e objekteve banesore.
“Ndërhyrjet kadastrale në pronë nga 4406/9, pjesë e së cilës ishte më herët, në 4406/, jep sinjale se biznesi i përbërë prej 4 themeluesve me mbiemra te ndryshëm mund të kenë mision edhe presionin ndaj banorëve të lagjes për të ulur çmimin e pronave të objekteve që e rrethojnë, në mënyrë që tu hapet rruga ndonjë projekti ndërtimor. Sepse, derisa paradite lëvizin kamioneta, vetura dhe karroca të,huazuara me mbeturina metalesh, pasdite deponia shpesh vizitohet nga shoferë me vetura luksoze që më së paku merren me mbeturina metalesh”, thuhet në ankesë.
“Ankesa tregon edhe për dyshimet se biznesi nuk ka fare leje për të vepruar. Eshtë tërësisht ilegal sepse operon n një pronë shoqërore e publike të kontrabanduar prej vitesh nga persona të cilet fare nuk posedojnë kurrëfar pronësie apo të drejte të shfrytëzimit. Rrjedhimisht nuk ka as kontratë për qiramarrje, Objekti nuk posedon as kushte elementare hapësinore për këtë veprimtari sepse ka vetëm rreth 50 m2”, thuhet në ankesën e një banori.
Në fund, banorët kanë bërë edhe një kërkesë.
“Kërkojme që objekti dhe prona te merren në menaxhim të Spitalit apo të Komunës derisa të qartësohet pronari ligjor. Kjo perfundimisht do të shuante shpresat e lakmiqarëve për përfitim joligjor të pronave, si dhe do të pamundesonte grupet e narkomanëve dhe shërbyesve të vepra te liga shfrytzimin e saj”, thuhet në kërkesë.
Gazeta Nacionale ka realizuar edhe fotografi në vendin e ngjarjes, ku shihet vend-punishtja në këtë lagje, e rrethuar tërësisht nga shtëpitë. Nacionale ka mësuar se banorët e lagjes disa herë kanë kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por që të njëjtit nuk kanë ndërhyrë, me arsyetimin se është kompetencë e inspektoratit.
Banorët kanë theksuar se në secilën ditë, zhurmat janë të mëdha. Kurse në mbrëmje, afër kësaj pune shfaqen persona për të cilët banorët thonë se merren me veprimtari të dyshimtë.
Versioni i komunës dhe i pronarit
Komuna po del se është e pafuqishme për të vepruar në këtë rast. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, nga Drejtoria e Inspeksionit e kanë konfirmuar se për këtë rast kanë pasur ankesa.
Megjithatë, në përgjigjen për Nacionalen ata kanë thënë se puna po kryhet në pronë private, dhe si rezultat thonë se nuk ka hapësirë për të vepruar.
“Biznesi për grumbullimin e hekurit "Kela Ricyling" SH.P.K. këtë veprimtari e ushtron në pronë private të rrethuar me mure ne tri anët e saj. Biznesi posedon certifikatën e Regjistrimit të Biznesit pranë ARBK-se si Kela Ricyling" SH.P.K. per tregti me shumicë të mbeturinave dhe hekurishtave. Prandaj meqë është biznes i regjistruar dhe veprimtarinë e ushtron në pronë private. Drejtoria e Inspeksionit, saktësisht, Sektori i Rendit Komunal nuk ka autorizime që të ndërmerr masa ndaj këtij biznesi”, thuhet në përgjigje.
Pronari i kësaj punishte, Alban Hasani, për Nacionalen ka thënë se është ankuar vetëm një banor. Ai e ka konfirmuar se pronën e shfrytëzon me qira.
“Jo more nuk janë ankuar, një banore është anku veç. Kanë qenë drejtoria e Inspeksionit qysh jo. Unë jam pronari, pronën e kemi me qira. Të dielëën shumicën e rasteve nuk punojmë, më shumë pushojmë”, ka thënë pronari i kësaj punishteje për Nacionalen.
Banorët në kushte anonimiteti kanë theksuar se nuk do të ndalen së kërkuari largimin e këtij biznesi nga ai lokacion.