Mjekët paralajmërojnë për rritje të numrit të rasteve me Covid-19 në Kosovë
Në shumë shtete jo vetëm në Kosovë kanë nisur që të rriten shifrat sa i përket infektimit me koronavirus. Ndjeshëm, edhe në Kosovë ditëve të fundit, po raportohet për numra treshifror të infektimeve. E edhe testimet për të parë nëse një person bartë koronavirusin janë rritur në Kosovë. Mjekët po apelojnë për kujdes gjatë këtyre ditëve ngase do të kemi rritje të rasteve.
Klinika Infektive e QKUK-së ka qenë adresa e parë për shumë pacientë gjatë dy viteve të fundit në Kosovë. Ata të cilët kanë qenë të infektuar me Covid-19 e në gjendje më të rënduar shëndetësore, e kanë vizituar këtë klinikë. Por aty,ka edhe sot pacientë të prekur me virusin Covid-19.
Edhe pse në numër më të ulët, aty vazhdojnë që të trajtohen pacientë të shtrirë pas përkeqësimit të gjendjes nga infektimi me koronavirus.
Drejtori i kësaj Klinike, Arben Vishaj i tha Nacionales të martën se për trajtim për momentin aty, janë tetë persona.
“Për momentin në trajtim i kemi tetë pacientë me Covid-19. Të gjithë janë në gjendje stabile”, i tha Nacionales, Vishaj.
Ai shtoi se situatën po e përcjellin në mënyrë dinamike.
E për rrezikun ndaj Covid-19 po alarmojnë edhe infektologët kosovarë.
Nga IKSHPK po theksojnë se ditëve të fundit vendi po shënon rritje të rasteve me Covid-19.
“Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19”, apelojnë nga IKSHPK.
Nga ky institucion theksojnë se qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19.
“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokë dhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.
MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.
E se pandemia me Cvid-19 ende s’ka kaluar e thotë edhe indektolog në pension, Salih Ahmeti.
“Unë mendoj që ne jemi në fazat e përfundimit të pandemisë. Por ende nuk e kemi përfundua. Covidi është përcjellë shumë herë me të papritura. Por unë po besoj që përkundër vështirësive që ne i kemi pasur, problemeve, humbjeve të mëdha, megjithatë, ia kemi dalë mirë. Unë po i shoh përvojat e vendeve tjera, e tu i pa rrethanat se si kanë punuar mjekët kosovar, pandemia është menaxhuar mjaftë mirë”, shton infektologu Ahmeti.
Infektimet janë shtuar në korrrik, ekspertët paralajmërojnë për rritje të rasteve
Në javën e fundit të qershorit, mbi 30 për qind e testeve kanë dalë pozitive . Derisa në muajin mars, saktësisht më 24 maj, Kosova nuk ka regjistruar as edhe një rast të vetëm me këtë infeksion.
Por, situatë krejt ndryshe është në korrikun e këtij viti.
Në bazë të të dhënave nga ana e Minsitrisë së Shëndetësisë, të publikuara më 5 korrik, numri i rasteve aktive në Kosovë aktualisht është 1 mijë e 244 persona të infektuar me 203 raste të paraqitura vetëm sot.
Ndryshe, në dy javët e fundit (20 qershor-5 korrik 2022), si pasojë e regjistrimit të një numri më të lartë të rasteve të reja të COVID-19, janë rritur edhe rastet aktive nga 110 sa ishin më 20 qershor në 1244 më 5 korrik.
Rrjedhimisht, kjo ka reflektuar edhe me shtrime të reja të pacientëve në spital të prekur nga COVID-19. Aktualisht, 25 pacientë të infektuar po trajtohen në spitalet e Kosovës nga COVID-19.
Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe e pensionuar, i tha Nacionales se në bazë të trendit, rastet mund të rriten ende, gjatë ditëve të ardhshme.
“Si profesioniste shëndetësore, mund të ju them se pres që gjatë ditëve të ardshme të rriten rastet me Covid-19, duke e parë edhe ecurinë e sëmundjes edhe në vendet e rajonit”, i tha Mulliqi Nacionales.
Ajo thekson se shifrat mund të jenë edhe më të larta të personave aktiv me këtë virus, por që sipas saj, ka persona që mund të jenë asimptomatik me Covid-19 e që nuk testohen.
Në qarkullim besohet se është varianti Omicron i coronavirusit, i cili përhapet më shpejt, por shkakton simptoma kryesisht më të lehta.
Tek cilët persona lë gjurmë Covid-19?
Infektologu Hamdi Ramadani, i cili ka drejtuar Klinikën Infektive të QKUK-së e që tash ushtron pozitën e kryetarit të Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, deklaron se pavarësisht faktit se koronavirusi mund të paraqitet me “simptoma më të buta”, pacientët që kanë sëmundje kronike ose janë të pa vaksinuar, mund të përfundojnë me fatalitet.
“Unë mund të them se në bazë të hulumtimeve, pacientët më të rrezikuar janë ata që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, duke filluar nga tensioni i lartë i gjakut, aritmia, sëmundjet kronike dhe malinje, qytetarët që kanë imunitet të dobësuar”, thotë Ramadani për Nacionale i cili bën po ashtu thirrje për vaksinim.
“Personat, sidomos të moshuarit, duhet të vrapojnë për t’u vaksinuar edhe me dozën përforcuese”
Ai sqaron se shumica e viktimave nga Covid-19 në Kosovë kanë qenë të moshës mbi 60-vjeçar.
E në 24-orët e fundit në vendin tonë janë shënuar edhe 203 raste të reja me Covid-19. Numri total i rasteve aktive në Kosovë edhe 1 mijë e 244 persona./Nacionale.com/