Ku kriste pushka, aty ishte AB-eja: Fshati që i tregoi botës se Kosova po luftonte kundër forcave serbe - NACIONALE

Ku kriste pushka, aty ishte AB-eja: Fshati që i tregoi botës se Kosova po luftonte kundër forcave serbe

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Vdiq ashtu siç i ka hije një legjionari, në fushën e betejës. Lajmi për rënien e Bekim Berishës — AB-eja, përloti gjeneralë e presidentë. Shtetet mbajtën zi e më pas e dekoruan. Luftoi në tetë luftëra, e vdiq aty ku lindi. Por, pak para se t’i përmbushej fati, AB-eja i tregoi botës nga Bardhi i Madh se në Kosovë po luftohej.

Nga ky fshat, më 30 qershor të vitit 1998, AB-eja si një oficer pentalingual, me një anglishte të rrjedhshme tha për Associated Press “Kjo është toka ime, këtu kam lindur dhe këtu do të vdes”.

Dy dekada pas rënies së heroit, në të njëjtin vend, ish-bashkëluftëtari Rizah Gashi rrëfen për natën, kur e kishte takuar atëkohë 32-vjeçarin, që sapo kishte përfunduar dy luftëra të tjera kundër forcave serbe.

“Kur jam takuar sefte me të, thashë ‘sa (ushtarë) të vyejnë?’, tha ‘pesëqind’. Thashë ‘me i pasë sikur ti, shkojmë në Beograd’... Thashë ‘me i pasë sikur ti’”, thotë Gashi.

Pas luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, legjionari Abeja, bashkë me mërgimtarë të tjerë, u nisën përsëri për në luftë, përsëri kundër forcave serbe, por kësaj here për t’i dalë zot atdheut.

“Menjëherë e ka filluar në Aqarevë Akademinë Ushtarake që t’i aftësojë ushtarët, meqenëse kemi pasur ushtarë të rinj. Me kryerjen e asaj pune, Bekimi ka dëgjuar se edhe në Bardh të Madh është bërë një luftë, një betejë, dhe ka dashtë me ardhë edhe ai dhe na u ka bashkëngjitë”, ka thënë Gashi.

Nga vijat e frontit në Bardh të Madh, afër hekurudhës, Abeja me bashkëluftëtarë ua zinte pritën tankeve serbe, të cilat drejtoheshin për në kazermën që gjendej afër këtij fshati.

Abeja shprehej se, pos luftës, nuk kishte shteg tjetër.

Serbët nuk donë diplomaci, veç luftë”, thoshte ai në njërën nga videot e rralla, të publikuara nga agjencia e lajmeve, “Associated Press”, e ku flet edhe Berisha gjatë luftës.

Disa ditë më vonë, Abeja e la Bardhin e Madh për t’iu gjendur në ndihmë shokut të tij, heroit Bedri Shala.

“Këtu i ka lanë dhe ka dëgjuar se Bedri Shala është në rrezik dhe ka shkuar për t’i ndihmuar. Aty ka mbetur, në altarin e lirisë... S’kemi pasur shumë kohë me bisedu, sepse lufta ka qenë intensive. Por ato fjalë të shkurta kanë pasur domethënie të mëdha. Na ka bindur se ’unë jam për me vdekë aty ku kam lindur’”, shton Gashi.

Abeja u vra më 10 gusht të vitit 1998 në Betejën e Junikut, bashkë me dëshmorët e tjerë, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.

Rast i rrallë në botë: Abeja është dekoruar nga tri shtete - Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.

Për të, presidenti i parë i Kroacisë, Franjo Tudjman, thoshte: “Bekim Berisha ishte një ushtri e tërë. Për mua, Abeja ishte i barabartë me 500 ushtarë.”

12 vjet pas vdekjes, në gusht të vitit 2010, Bekim Berisha u dekorua me titullin “Hero i Kosovës”.

Mjerisht, shtatorja e Abesë po ngrihet vetëm 24 vjet pas rënies së tij.

Lajme të ngjashme