I dyshuari me probleme mendore e vrau nënën duke e rrahur, kishte tri aktakuza për dhunë në familje: Çka dihet për tragjedinë në Dragash?
Një rast i rëndë ndodhi ditën e sotme në fshatin Restelicë të Dragashit.
Një i dyshuar e ka vrarë nënën e tij, në orët e para të mëngjesit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se personi me probleme të shëndetit mendor, e vrau nënën duke ushtruar dhunë fizike.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë”, thuhet në njoftim.
“Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion në IML”, ka njoftuar më tutje Prokuroria.
Prokuroria ka bërë të ditur se i njëjti person, kishte tri aktakuza për dhunë në familje.
“Nga të dhënat zyrtare të prokurorisë, rezulton se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore, si dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri (3) raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit. Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese. Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, bëhet e ditur më tutje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Me datën 21.01.2025, rreth orës 01:06, Policia është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeçar, e ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçare. I dyshuari, sipas të dhënave paraprake, ka pasur probleme të shëndetit mendor. Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejme ligjore. Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka njoftuar Policia.