Gati një dekadë pa Trust – mbi 200 mijë euro borxhe ndaj punëtorëve të pastrimit në kompaninë Uniteti - NACIONALE

Gati një dekadë pa Trust – mbi 200 mijë euro borxhe ndaj punëtorëve të pastrimit në kompaninë Uniteti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë në mesin e punëtorëve më të vlerësuar në Mitrovicë, Vushtrri e Skënderaj. Mbi 100 persona që punojnë në Kompaninë e Pastrimit “Uniteti”, përkujdesen që pastërtia të dominojë në këto tri qytete. Megjithatë, punëtorët e pastrimit në kompaninë “Uniteti” ndër vite janë ballafaquar me borxhe nga kompania, sidomos në pagesën e Trustit.

Në kushte anonimiteti nga punëtorët, gazeta Nacionale ka mësuar se që nga viti 2012 deri më tash, punëtorët janë ballafaqur me problem në pagesën e kursimeve pensionale, apo siç njihet, Trustit.

“Arsyeja e mospagesës është sipas tyre buxheti. Punëtorët e pastrimit kanë paga jodinjitoze, nuk u paguhet as trusti, ndonëse bëjnë punë të çmueshme për qytetet e Mitrovicës, Vushtrrisë e Skënderajt. Të njëjtit kanë pasur vazhdimisht ankesa edhe për vonesa të pagave”, ka thënë një burim brenda kompanisë për gazetën Nacionale.

Gjendja e vështirë financiare e kompanisë - mungesa e buxhetit, ka bërë që për gati 10 vjet, më shumë se 100 punëtorë të mbesin pa pagesën e Trustit. Në bazë të një përllogaritjeje, borxhi shkon në mbi 250 mijë euro.

Situata është përmirësuar pas vitit 2019, ku një pjesë e muajve janë paguar, përderisa borxhet e viteve të kaluara ende mbesin të papaguara nga kompania.

Se kanë pasur probleme me pagesën e Trustit, e kanë konfirmuar edhe nga kompania “Uniteti”. Megjithatë, këta të fundit thonë se gjendja është përmirësuar.

“Trusti pensional është paguar herë pas here edhe në të kaluarën, pra gjatë periudhës 2002 deri 2019, ndërsa nga dhjetori i vitit 2019 e deri tani menaxhmenti aktual ka arritur ta paguajë komplet trustin pensional për këtë periudhë (dhjetor 2019 - maj 2022)”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Nacionalen.

Nga kompania, janë zotuar se borxhet do të paguhen posa gjendja financiare në kompani të përmirësohet.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës të mjeteve financiare, sepse kompania që prej themelimit është përballur me sfida të rënda financiare. Edhe ndërmarrje tjera publike përballen me një sfidë të tillë, siç është edhe "Trepça", e cila për disa vite të fundit nuk po arrin të paguajë trustin pensional të punëtorëve. Këto borxhe kompensohen gjatë viteve në vijim, varësisht nga gjendja financiare e kompanisë. Përfundimisht ato kompensohen me rastin e pensionimit të punëtorëve”, thonë nga kompania për gazetën.

Komunat në “terr informativ”

Për situatën e pagesave të Trustit për punëtorët e kompanisë “Uniteti”, po del se nuk janë në dijeni komunat ku këta punëtorë i kryejnë obligimet.

Granit Tmava, drejtor për Shërbime Publike në Mitrovicë, ka thënë për Nacionalen se si komunë, ata i kryejnë të gjitha obligimet ndaj kompanisë.

“Nuk jam në dijeni, ne i kemi kryer obligimet, por që tash e 10 vjet nuk paguhet Trusti nuk po e disha. Komuna e Mitrovicës i ka paguar të gjitha detyrimet, vazhdon me i pagu në kohë”, ka thënë Tmava.

Për këtë problem, nuk kanë dijeni as në komunën e Vushtrrisë. Drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Benjamin Shala, thotë se komuna i kryen pagesat sipas marrëveshjes.

“Si problem po e dëgjoj prej teje. Nuk janë punëtorë të komunës. Telashja është që kena marrëveshje për grumbullim të mbeturinave, pra ne pagujna faturë mujore. Ne vetëm në këtë formë bashkëpunojna”, deklaroi Shala për Nacionalen.

Njëjtë u shpreh edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Skënderaj, Alban Shala.

“UNITETI e ka bordin, bordi zgjidhet prej aksionarëve, aksionarët janë pjesë e Kuvendit, kështu që për çdo informacion duhet me iu drejtu bordit. Nuk mundem edhe me iu dhanë informacione. Unë nuk jam në dijeni”, deklaroi Shala për Nacionalen.

Kompania i deklaron borxhet, por nuk ka buxhet t’i paguajë

Ndërmarrja “Uniteti” për secilin muaj i deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës borxhet ndaj punëtorëve. Madje, ka një marrëveshje për pagesën e obligimeve nëpërmjet kësteve.

Kështu kanë bërë të ditur nga ATK-ja për gazetën Nacionale.

“Ndërmarrja Publike e pastrimit, Uniteti, çdo vit deklaron obligimet tatimore ndaj punonjësve të saj, por në mungesë të mjeteve financiare nuk arrin që t’u mbajë tatimin në burim dhe kontributet pensionale. Po ashtu, kjo ndërmarrje për një pjesë të obligimeve që ka ndaj ATK-së, ka hyrë në marrëveshje për pagesë me këste të borxhit. Andaj, çdo tatim i vetëdeklaruar nuk konsiderohet shmangie, pasi që punëdhënësi e deklaron obligimin”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Gazeta Nacionale ditë më parë ka raportuar se probleme me pagesat e Trustit kanë edhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça.

Lajme të ngjashme