“Dul njëherë veç një”: Rrëfehet mjekja që e pësoi keq nga qentë endacakë - NACIONALE

“Dul njëherë veç një”: Rrëfehet mjekja që e pësoi keq nga qentë endacakë

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Janë bërë disa vite që në kryeqytet, problemi me qentë endacakë vazhdon të jetë temë shqetësuese për qytetarët, e problem i pazgjidhur nga komuna e Prishtinës.

Hiç më larg se mbrëmjen e së shtunës, në lagjën e Muhaxherve një doktoreshë e QKMF-së në këtë lagje, e pësoi keq nga grumbullimi i rreth 15 qenve.

Doktoresha 56 vjeçare, Kimete Surdulli, është ajo e cila pas përfundimit të punës së saj në QKMF-në e kësaj lagje, u sulmua nga shumë qenë endacak.

Si pasojë e kësaj, ajo theu dorën, mori lëndime në kokë si dhe traumë, për të cilën thotë se i është rekomanduar të shkojë tek psikiatri, pasi e njejta po e ka vështirë të bëjë gjumë.

Surdulli në një intervistë për gazetën, tregon se si ndodhi ngjarja.

“Isha në punë tërë ditën, kur e lëshova punën tu u lëshu teposhtë me shku te banesa dul njëherë veç një, por pas atij fillunë me ardhë edhe shumë të tjerë, diku mbi 15 qenë janë kanë. Fillova me u tërhjekë mbrapa se nuk guxojsha me vrapu. E tu ecë mbrapa kam ra me shpinë me kokë, bajagi ka kërsitë edhe koka edhe e theva dorën. Pas kësaj situate kanë ardhë dy djem më kanë ndihmu edhe jam lajmëru në emergjencë direkt. Trauma është e madhe, nesër ma kanë shkru në vizitë tek psikiatri sepse s’kam mujtë me fjetë tanë natën,” - thotë Kimetja për gazetën.

Tutje ajo shton se kjo nuk është hera e parë që sulmohet nga qentë, pasi në këtë lagje telashja me endacakët është e kahmotshme dhe e pazgjidhshme.

“Komuna duhet me e ba një zgjidhje, kjo lagje ka fillu një peticion për me dërgu në komunë e me na ba një zgjidhje. Sepse midis qendrës mos me mujtë njeri me shku as në punë e mos me mujtë me lëvizë midis qendrës unë s’di që ka najkun”, thotë doktoresha.

Çfarë po bën komuna në çështjen e qenve endacak?

Një ndër premtimet e kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore ishte ndërtimi i i një strehimoreje të mirë e me të gjitha rregullativat evropiane, botërore për të drejtat e kafshëve.

E ky premtim ende nuk është funksionalizuar. Sipas Ramës, ajo është “në proces”.

Kryetari i Prishtinës kishte deklaruar se me problemin e qenve endacak nuk mund të merret vetëm komuna por edhe Qeveria, andaj edhe duhet pritur vendimin e qeverisë për rregulloren e re për ligjin për kafshët.

“Ne vetëm e kemi vendosur lokacionin dhe jemi në proces të funksionalizimit të strehimores. Mirëpo i kemi edhe shtatë llote të reja për kapje, spastrim, sterilizim të cilat janë duke kaluar nëpër prokurim. Nuk mundet vetëm komuna e Prishtinës të merret me problemi e qenve për arsye se është një problem i krejt vendit edhe komunave tjera dhe qeveria duhet të merret me të. Jemi duke pritur vendimin e qeverisë për rregulloren e re për ligjin për kafshët,” - kishte deklaruar z. Rama.

Lajme të ngjashme