Fëmijët e klubeve të natës në Prishtinë: Rrëfimi me një tis misteri e me policët që këqyrin seri - NACIONALE

Fëmijët e klubeve të natës në Prishtinë: Rrëfimi me një tis misteri e me policët që këqyrin seri

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Mesditën e së hënës së 13 qershorit 2022, një grup i fëmijëve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, ishin bërë bashkë në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Përmes artit, pikturës e performancës, këta fëmijë të organizuar nga Qendra Ditore për Fëmijët në situatë rruge “Terre des hommes Kosova”, përçuan mesazhe përkrahëse për bashkëmoshatarët e tyre që janë të detyruar të bëjnë punë të rënda. Ata po e shënonin një ditë me vonesë Ditën Botërore kundër Punës së Rëndë të Fëmijëve, e cila këtë vit është shënuar me aktivitete nëpër vende të ndryshme të botës, gjatë agjendës një-javore prej 2 deri më 12 qershor.

Nacionale gjatë fundjavës 10 dhe 11 qershor 2022, ishte nëpër vende të ndryshme ku fëmijët detyrohen të punojnë nga mesnata deri në mëngjes, duke kërkuar lëmoshë para klubeve të natës.

R R Ë F I M I

E premte, 10 qershor 2022. Pasdite. Me taksistin që më çon deri te një vend ku kisha për të zhvilluar një takim pune, kam llafet e zakonshme: Albini, politika, futbolli dhe ngjarje e shaka ditore. E shoh që po përpiqet të më thotë diçka të re.

“Ej, a i ke pa bre do fëmijë që po lypin krejt natën para klubeve të natës, mos të ka ra me i pa”, më thotë taksisti.

“Jo vallai s’i pasna pa, se edhe s’po dal shumë kohëve të fundit”, i them pak duke u mburrur që nuk po dal natën.

“Shumë po më bojnë me u ndi keq. I kam pa disa herë këto fundjava, edhe më ka ra edhe me i çu nëpër shtëpija. Se di qysh i lajnë ata prind”, më thotë taksisti.

“Këqyr nëse mundesh me bo diçka, se as policia s’po i pyet sen, mu s’po më duket normale me punu ton natën. Një natë kur më hypën në taksi, flejten të dytë, ishin shumë të lodhtë, ora 6 e mëngjesit...”, vazhdon taksisti me shqetësim.

Normalisht kjo histori ma rrëmben vëmendjen. I marr kontaktin dhe i premtoj që të premten mbrëma do të dal për të shikuar dhe dokumentuar atë që thoshte. Por të premten, u komplikua e tërë dita, dhe u lodha aq shumë sa hulumtimi natën vonë ra nga kombinimi.

E shtunë, ora 7 mëngjes. Sapo zgjohem më kujtohen fjalët e taksistit. Më kujtohet edhe lodhja e fëmijëve që mund ta kenë ndier në ato momente, kur klubet janë mbyllur. Ata nuk e kanë luksin tim, që të vendosin për pushim. Atyre u duhet të punojnë me patjetër. E vendosi menjëherë që sonte të dal për të shikuar nëse ajo që më tha taksisti është e vërtetë.

Ora 22:30. Jam në Prishtinë. Te rruga e famshme e “kafeve të rakisë”. Përplot me njerëz që kanë dalë për të bërë qejf në fundjavë. Përplot me fëmijë që shesin gjëra dhe të tjerë që kërkojnë lëmoshë. Por, pamja e tillë deri në mesnatë është diçka që në kokat tona na është bërë normale. Ama nuk është e tillë, ASPAK. Fëmijët duke punuar, duke shitur gjëra e duke kërkuar lëmoshë nuk është normale në asnjë vend. Por normaliteti do të merrte kuptim sapo u bë mesnatë.

Z O N A E L Ë M O S H Ë S

Eshtë gati ora 1:00 e mëngjesit. Te parkingu i klubit “Zone Club” në Zonën Industriale në Fushë Kosovë, ka shumë vetura. Ka edhe shumë njerëz. Shumica sa kanë nisur të dehen, por janë në momentet kur alkooli ka filluar t’i bëjë qejfli. Katër fëmijë - dy djem dhe dy vajza - që nuk duken se janë më shumë se 10 ose 12 vjeç, i zgjedhin me kujdes veturat dhe klientët të cilëve u vihen pas për t’u kërkuar lëmoshë.

“A m'i jep 20 centë ose 30 centë, hajt bre ama naj pare, pash' qet çikën”, dëgjohet një nga fëmijët teksa vrapon pas një çifti të ri që kishin dalë për qejf.

Shumë nga klientët e klubit i njohin fëmijët.

Disa prej tyre sillen shumë mirë, e disa prej tyre që duket se nuk dalin shpesh klubeve, tentojnë t’i injorojnë. Edhe taksistat që sjellin klientë te klubi nga qyteti ose që parkohen para klubit për të pritur njerëz që përfundojnë party-n, i njohin këta fëmijë.

Kur tentoj të pyes disa prej tyre, ata me të kuptuar se po i flasin një gazetari, ngurrojnë të tregojnë detaje. Jashtë incizimeve, nga biseda me ta, kuptoj që fëmijët dalin aty që kur ka filluar të funksiojë më gjallë jeta e natës në Prishtinë.

“Që nja 1 muj, prej që janë çelë këto kllabet, këta janë kësajde, çdo vikend”, më thotë një taksist.

Në tentimin e parë për të folur me fëmijët, nuk prezantohem si gazetar. Kur u qasem, ata më shohin si njeri që nuk kam pare. Befasohem edhe me humorin që kanë.

“Ti nuk ki pare, qyre, edhe vetë je dalë”, thotë një nga fëmijët. Kur i pyes se pse po punojnë në këto orë të vona kur ata do të duhej të ishin duke fjetur, përgjigjja është brutale.

“Këtu po ka shumë pare, edhe ça po vet ti, ça po të intereson”, më thotë një tjetër fëmijë, më i rritur. Kësisoj, tentimi për të nxjerrë ndonjë informatë për ta dhe familjet e tyre dështon. Por megjithatë nuk dorëzohem.

P O L I C I A M B Y L L S Y T Ë

Ora 3 e mëngjesit. Te parkingu i klubit të natës në Zonën Industriale, fillon të bëhet tollovi e madhe. Shumë nga klientët që kanë ardhur para mesnate tashmë po bëhen gati ta përfundojnë party-n. Shumë nga ta janë të dehur. Kaos i madh është te rruga me plot vetura që drejtohen nga njerëz me shumë gjasë të dehur. Puna e tyre vazhdon në tentim për të nxjerrë edhe ndonjë para. Në një moment, te rruga vijnë edhe policia. Duke qenë se jam pak larg asaj pjese, nuk mundem t’i xhiroj. Por vërej se fëmijët nuk është se ikin nga Policia. Ata dhe Policia duket se i kanë punët e ndara. Policia vijnë për ndonjë problem mes të dehurve që ziheshin për vetura e taksi, ndërsa fëmijët janë gjëja normale për ta. Kur fëmijët e kuptojnë se klubi po zbrazet, ata të katërt, marrin një taksi. Asnjë nga taksistët nuk i refuzon. Aty e shoh edhe taksistin që më dha informacionin.

“Aaa paske dalë a?”, më pyet ai. “A e din ku po shkojnë fëmijët tash?”, e pyes. “Po more, hyp se të çoj atje”, më thotë. Ashtu bëj. E lë parkingun e klubit të natës, dhe me taksistin nisem në lokacionin tjetër: Lagjja Veternik në Prishtinë. Aty gjendet edhe një klub tjetër nate, dhe një restorant që rri tërë natën hapur. Te parkingu i të dyjave, gjenden edhe fëmijët.

Ora ka kaluar 5 e mëngjesit. Fëmijët tashmë kanë zënë pozitat e tyre. Para hyrjes së klubit dhe para hyrjes së restorantit, më saktësisht në parkingun e saj. Ata vazhdojnë rutinën. Kur tentoj të flas edhe njëherë me ta, por tashmë si gazetar, ata bëjnë një veprim që më befasoi: organizohen dhe ikin nga vendi. Marrin një taksi tjetër dhe zhduken nga parkingu. Tentoj ta gjej taksistin në mënyrë që t’i përcjell se ku po shkojnë. Por mes kaosit që zotëronte hapësirën e parkingut, kjo gjë bëhet e pamundur. Ata zhduken e bashkë me ta edhe mundësia që unë ta kuptoj se ku po përfundojnë ata fëmijë. Taksisti që më kishte dhënë informacionin, më tregon se një herë i kishte dërguar dy prej tyre në një lagje në Prishtinë, në rrugën “Bajram Kelmendi”.

“Krejt çka di është se i kam lënë tek ajo rruga te furra Rekord, dhe te një derë me numrin 13, ka dalë një burrë dhe i ka marrë”, thotë ai.

Kësisoj, ajo çka kuptohet është se një formë e re e përdorimit të fëmijëve ka lindur në Prishtinë. Për shumë nga ta, orari i punës është zgjatur deri në mëngjes. Se kush i shtyn të punojnë - përveç varfërisë, natyrisht - se si është e mundur të lejohet kjo dhe pse nuk është bërë asgjë, duhet ta hetojë shteti. E shteti, ende mungon.

Lajme të ngjashme