Qeveria diskriminon punëtorët që pagën gjatë shkurtit dhe marsit e kishin nën 170 euro - NACIONALE

Qeveria diskriminon punëtorët që pagën gjatë shkurtit dhe marsit e kishin nën 170 euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pagesës prej 100 euro nga Qeveria nuk u janë gëzuar të gjithë të punësuarve në sektorin privat.

Këtë javë disa kategori kanë marrë njoftime nga Administrata Tatimore e Kosovës së kërkesa e tyre për subvencionim është refuzuar. Në këtë mënyrë, Qeveria ka anashkaluar punëtorët që pagën gjatë muajit shkurt dhe mars e kishin nën 170 euro.

Gazeta Nacionale parë disa vendime të Komisionit Zbatues, përmes të cilëve kjo kategori e punëtoreve është njoftuar se kërkesa e tyre për pagesë është refuzuar.

“Gjeni vendimin REFUZIM e kërkesës tuaj për të përfituar subvencionimin në shumë prej 100€”, kjo ishte porosia më shpeshtë që ATK-ja ua ka dërguar aplikantëve.

Gazeta ka mësuar se kanë qenë disa kategori mbi të cilat Komisionit Zbatues ka marrë vendim për refuzim të aplikimeve.

Ata që kanë pasur pagën nën 170 euro në muajt mars-maj, ata që në muajin shkurt kanë qenë punëtorë sekondar dhe me pagë më të ulët se 170 euro, apo ata që janë deklaruar si punëtorë sekondar në muajit mars-maj, nuk janë subvencionuar nga qeveria me 100 euro.

Kërkesat e këtyre kategorive janë refuzuar në mënyrë automatike.

Mbetet e paqartë nëse punëtorë sekondar me pagë më të madhe se 170 euro ka përfituar 100.

Ministria e Financave ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Nacionales për këtë paqartësi.

Një i ri nga Prishtina, i cili prej fillimvitit është deklaruar si i punësuar sekondar, me pagë më të ulët se 170 euro, është zhgënjyer me refuzimin e kërkesës së tij.

“Pritjes maratonë për të pasur përjetimin gati orgazmik të marrjes së lëmoshës prej 100 euro, i vjen najherë fundi. Ama kur je i poshtëm, s’je i denjë për t’u ndihmuar. S’meriton me t’u shpërnda një copë e mishit publik, se i ke të ardhurat shumë të vogla”, ka thënë ai për gazetën në kushte anonimiteti.

“Personi është i deklaruar në sistemin e ATK-së, në listë pagesat mujore MARS/2022, PRILL/2022 dhe MAJ/2022 si i punësuar sekondar dhe paga është më e vogël se 170 euro”, është shkruar në emailin që të riut nga Prishtina i ka ardhur prej ATK-së.

Ai ka treguar se ka disa muaj që punon pranë një instituti, por vetëm si bashkëpunëtor i jashtëm. Edhe përgjatë muajit shkurt ai ka qenë i deklaruar në ATK si punëtor sekondar.

Ai vazhdon edhe sot të punojë po me të njëjtën rrogë, pra më pak se 170 euro.

Ai nuk ka ndonjë vend tjetër të punës dhe refuzimi e ka revoltuar edhe më shumë.

Në anën tjetër, gazeta Nacionale ka shikuar edhe disa vendim refuzuese të Komisionit Zbatues.

“Personi është deklaruar në sistemin e ATK-së, në listën e pagesës mujore për periudhën SHKURT/2022 si i punësuar sekondar dhe paga është më e vogël se 170 euro”, është thënë në një tjetër vendim refuzues që ka parë Nacionale.

Gazeta ka parë edhe dy refuzime tjera. Në të dy rastet, personat kanë qenë të deklaruar si të punësuar prej muajit mars.

Pretendime këto që gazeta i ka parë edhe në ATK dhe e-Trust.

Por, si duket se Komisioni Zbatues nuk ka marrë parasysh këtë fakt, ose nuk ka shikuar se këta dy të punësuar janë deklaruar si punëtorë në ATK nga marsi dhe vazhdojnë të punojnë edhe sot.

Një prej kritereve për përfitim të subvencionimit prej 100 euro ka qenë edhe ajo që punëtori të jetë i deklaruar në ATK në mars të këtij viti.

“Unë jam punësuar në muajin mars, a më takon mbështetja financiare? Kriter për mbështetje financiare është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në muajin shkurt 2022”, thuhej në udhëzuesin e publikuar nga ATK-ja në prill.

E udhëzuesi vazhdonte të sqaronte kriterin, ku pranoheshin për të marr shtesën prej 100 eurove edhe punëtorët e deklaruar në muajt pasardhës.

“Megjithatë, nëse ju jeni i punësuar në muajin mars dhe jeni të deklaruar në muajt mars, prill dhe maj, atëherë ju mund të aplikoni tani dhe të përfitoni nga mbështetja në muajin qershor”, thuhej në udhëzuesin e ATK që ishte shpërndarë gjatë prillit.

Pra, dikush mund të mos të ketë qenë i punësuar në shkurt, po nëse është deklaruar i punësuar në mars dhe ka vazhduar të jetë në sistemin e ATK-së edhe përgjatë muajve prill e maj, mund të përfitojë 100 eurot e qeverisë.

Pavarësisht këtyre paqartësive, aplikuesit e refuzuar kanë mundësinë e ankesës brenda 30 ditëve nëse mendojnë se u është bërë e padrejtë tek vegza https://ankesa3-6.rks-gov.net/. Mirëpo, është e paqartë se në rast se pranohet ankesa e një aplikanti të refuzuar kur do t’i dilnin 100 eurot e qeverisë.

Shumica e kategorive kanë marrë pagesat

Krizat e njëpasnjëshme ekonomike kanë shtyrë Qeverinë të ndante nga 100 euro për secilin punëtorë, studentë apo pensionistë.

Me bujë u kumtua vendimi, me të cilin tentohej t’u dilej në ndihmë qytetarëve pasi inflacioni veçse shkoi në 10 për qind.

Qytetarëve u mundësohej të aplikonin përmes platformës për subvencionim. Pasta, Komisioni Zbatues do bënte verifikimin nëse aplikuesit i përmbushnin kriteret për të marrë 100 euro.

Qeveria parashihte se rreth 800 mijë qytetarë do përfitonin subvencionim.

Shumica e kategorive morën pagesat përgjatë prillit e majit. Më 23 qershor u kryen pagesat për punëtorët e sektorit privat që vetëm në mars u deklaruan nga punëdhënësit në sistemin e ATK-së.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftoi se mbi 14 mijë punëtorë të sektorit privat të kësaj kategorie kanë përfituan subvencion.

Ministria nuk ka treguar se sa ka qenë numri i aplikuesve në të këtë kategori, ani pse është pyetur nga gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme