Zotimi i tretë i Hamzës: Me PDK-në në qeveri nuk do të ketë qytete pa rrymë - NACIONALE

Zotimi i tretë i Hamzës: Me PDK-në në qeveri nuk do të ketë qytete pa rrymë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ngritur shqetësimin për ndërprerjet e energjisë elektrike në disa prej zonave kryesore të Prishtinës, duke i cilësuar ato si pasojë të krizës së krijuar nga Qeveria Kurti.

Gjatë një konference për media, e cila u mbajt pa energji elektrike dhe pa sistem zërimi, Hamza tha se PDK-ja synon ta menaxhojë sektorin energjetik me transparencë, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë.

“Sot Kosova po përballet me kriza të shumta – ekonomike, sociale, politike dhe me mungesë shprese. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe bie mbi Qeverinë Kurti. Ironikisht, sot jemi pa rrymë, por pikërisht për këtë po flasim: për mungesën e investimeve strategjike në energji dhe infrastrukturë gjatë gjashtë viteve të fundit”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se qytetarët meritojnë furnizim të sigurt me energji, çmime më të përballueshme dhe institucione që planifikojnë për të ardhmen.

“Së bashku do t’u japim fund krizave dhe do ta ndryshojmë Kosovën. Me qeverinë që do ta udhëheq, situata të tilla nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë qytete pa energji elektrike dhe as dështime që paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me planifikim, përgjegjësi dhe rezultate konkrete, jo me improvizime dhe arsyetime”, u shpreh ai.

Hamza prezantoi gjithashtu pjesën e dytë të programit të tij qeverisës, e fokusuar në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuara.

Sipas tij, energjia është themeli i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve. Për këtë arsye, ai premtoi se energjia do të trajtohet si prioritet kombëtar.

“Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse ajo është një nevojë bazike dhe jo luks. Kjo masë do të ulë menjëherë faturat për qytetarët, do të rrisë fuqinë blerëse dhe do të kontribuojë në stabilitetin social”, tha Hamza.

Programi i PDK-së parasheh modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 megavat, zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në të paktën pesë qytete, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në fushën e infrastrukturës, ai premtoi vazhdimin e projekteve të mëdha rrugore, përfshirë autostradat drejt Gjilanit, Podujevës dhe Gjakovës, si dhe investime në rrjetin hekurudhor. Po ashtu, ai përmendi si prioritet realizimin e lidhjes hekurudhore Kosovë–Shqipëri, të cilën e cilësoi si projekt me rëndësi strategjike ekonomike dhe kombëtare.

Hamza u zotua gjithashtu për mbështetje më të madhe ndaj sektorit të teknologjisë informative, inovacionit dhe startup-eve, si dhe për zgjerimin e infrastrukturës digjitale, me qëllim krijimin e mundësive që të rinjtë të ndërtojnë karrierën e tyre në Kosovë.

Në fund, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e treguar gjatë takimeve në Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë.

“Qytetarët po tregojnë qartë se janë lodhur nga krizat dhe kërkojnë një drejtim të ri për vendin. Ne do të vazhdojmë takimet në çdo qytet të Kosovës, duke bashkëpunuar me qytetarët për ta ndërtuar së bashku rrugën drejt ndryshimit”, përfundoi Hamza.

Lajme të ngjashme